Nga Lapsi.al
Qeveria shqiptare gjendet në mes të një skandali me përmasa të jashtëzakonshme, kur qindra ton mbetje industriale janë nisur drejt Shqipërisë, pasi përpjekja për t’i futur fshehurazi në Tajlandë ka dështuar.
Dy anijet në pronësi të kompanisë Maersk u nisën në fillim të korrikut nga Porti i Durrësi, me kontenierët që mbanin rreth 816 ton mbetje brenda tyre.
Pluhuri i furrës është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara.
Kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkëse kishin brenda kontenierëve në Durrës.
As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.
Çfarë po ndodh tani me dy anijet?
Dy anijet e ngarkuara me mbetje të dëmshme, janë ngarkuar njëra me 60 kontenierë, tjetra me 40 kontenierë. Anija që udhëheq quhet Maersk Campton dhe ishte e ngarkuar me 40 kontenierë. Ajo mbërriti e para në Singapor dhe i shkarkoi kontenierët në datën 18 gusht. 40 kontenierët do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës.
Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, një kohë relativisht e gjatë dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht.
Llogaritet që të dyja anijet të jenë në fund të shtatorit në vendin e origjinës, pra në Shqipëri.
Kush e zbuloi skandalin?
Sinjali i parë për transportin e mbetjeve të dëmshme drejt Tajlandës e dha Basel Action Netëork (Rrjeti i ndërveprimit të Baselit) një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi i organizatës është pikërisht zbulimi i operacioneve të tilla, si ai që ka nisur nga Shqipëria, ku kompanitë e mëdha depozitojnë mbetjet e dëmshme në vende të pazhvilluara. Rrjeti i ndërveprimit të Baselit thotë se synon t’i japë fund tregtisë toksike, pasi Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike.
A ishte në dijeni qeveria shqiptare?
Në një prononcim për median amerikane Bloomberg, qeveria shqiptare ka drejtuar gishtin drejt kompanive turke që operojnë në ish-metalurgjikun e Elbasanit, por nuk ka pranuar asnjë bashkëpunim me to.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë nuk kishte dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, sipas zëdhënësit Erjon Uka. Forcat ligjzbatuese shqiptare po kryejnë hetime me Zyrën Kundër Mashtrimit të Bashkimit Evropian për “rrethanat dhe të gjitha lidhjet logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Evropa në Azinë Juglindore”, tha ai.
Mbetjet dyshohet se vijnë nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë një kompleksi metalurgjik në Elbasan, pranë Durrësit, citohet të ketë thënë Erion Uka.
Gjasat janë që qeveria shqiptare ka mbyllur një sy për eksportin e mbetjeve nga Porti i Durrësit. është e pamundur të ngarkohet një sasi prej 816 ton materialesh të çfarëdo lloji qofshin, pa dhënë informacionet përkatëse për inspektorët e doganës.
Për më tepër, pak ditë para se skandali të bëhej publik, Rama largoi nga detyra drejtorin e atëhershëm të portit, Pirro Vengu duke e promovuar si ministër të mbrojtjes. Me emërimin si pjesë e kabinetit të Ramës, Vengu mbetet jashtë hetimit të prokurorisë së Durrësit për këtë çështje.
Skandali nuk mbaron me kaq
Kjo nuk është ngarkesa e parë me mbetje të dëmshme që del nga Shqipëria dhe refuzohet nga një vend tjetër. Janë 115 kontenierë të tjerë që kanë dalë nga Porti i Durrësit dhe janë braktisur në Kinë. Ishte Kapitali.al që raportoi sot se kjo ngarkesë e dytë është nisur në prill të këtij viti nga Shqipëria drejt Kinës dhe përmban 115 kontenierë me mbetje toksike. Ngarkesa mbahet e bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinë.
Në një letër që Rrjeti i Ndërveprimit të Baselit i ka dërguar autoriteteve portuale të Singaporit kërkohet analizimi i menjëhershëm i materialeve që kanë anijet e nisura nga Shqipëria, në mënyrë që të ketë prova të pakontestueshme për aktivitetin e paligjshëm.
Po ashtu, Rrjeti i Baselit kërkon që edhe 115 kontenierët e bllokuar në Kinë të kthehen menjëherë në Shqipëri, ashtu siç po veprohet me 100 kontenierët e parë.
Duke u njohur me përmasat e skandalit, mbetet për t’u parë cili do të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare. A do të ndëshkohen kompanitë private për mostrajtimin e mbetjeve, apo eleminimi i tyre do të bëhet në dëm të ambjentit dhe qytetarëve shqiptarë?/Lapsi.al