Klodian Tomorri
Brenda një periudhe një javore Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë tre herë në tregun valutor për të blerë euro, nga të cilat dy prej ankandeve ishin të pa planifikuara. Për gjithë muajin qershor BSH kishte shpallur paraprakisht se do të blinte valutë në tre raunde, përkatësisht në datat 6, 13 dhe 21 qershor. Por me dy operacionet jashtë radhe, gjasat janë që në qershor të zhvillohen minimalisht 5 ankande për blerje eurosh nga tregu i brendshëm.
Për ata që e ndjekin politikën monetare, kjo nuk është e zakontë. Përkundrazi. Ndërhyrjet me frekuencë dhe intensitet të lartë në tregun e këmbimit të parave sinjalizojnë se Banka e Shqipërisë nuk ndihet rehat me zhvillimet në këtë treg. Por çfarë po e shqetëson Bankën Qëndrore?
Shqipëria ka një kurs të liberalizuar këmbimi, sipas të cilit çmimet e monedhave në raport me njëra tjerën vendosen nga tregu i lirë. Por kuadri rregullator në fuqi e autorizon Bankën Qëndrore të ndërhyjë në treg për tre qëllime kryesisht; menaxhimin e rezervës valutore të vendit, shmangien e çrregullimeve në tregun valutor dhe përshtatjen e kursit të këmbimit me faktorët bazë ekonomik.
Nga pikpëpamja financiare blerja e eurove në kushtet aktuale do të ishte një operacion i leverdisshëm për financimin e rezervës valutorë të vendit me kosto relativisht të ulët. Por ndërsa rezerva e huaj ndodhet në rekordet më të larta historike, do të ishte e vështirë që Banka Qëndrore të motivohej nga llogari kambistësh për të bërë dërhyrje të këtyre përmasave në treg. Aq më tepër, kur gjasat janë që euro të vazhdojë të dobësohet ndaj lekut dhe financimi i rezervës valutore të bëhet edhe më i lirë.
Së dyti, kursi i këmbimit të lekut vazhdon të shfaqë një prirje të qëndrueshme mbiçmimi. Por pavarësisht kësaj lëvizjet e kursit euro lek kanë qenë graduale dhe jo me magnitudë të madhe për të justifikuar ndërhyrjet emergjente si masë frenuese e spekullimeve.
Pra, rrjedhimisht mbetet vetëm qëllimi i tretë. A po beson Banka e Shqipërisë se leku po mbiçmohet përtej niveleve normale dhe se kursi i këmbimit të monedhës kombëtare me euron nuk pasqyron fondamentet e ekonomisë? Edhe në këtë rast përgjigja do të ishte më shumë JO. Deri më sot qëndrimi i Bankës Qëndrore për zhvillimet në kursin e këmbimit ka qenë i palëkundur. Sipas saj kursi euro lek është në linj me faktorët themelorë dhe fuqizimin ekonomik të vendit. Atëherë çfarë halli ka Banka e Shqipërisë, që po ble euro masivisht nga tregu i brendshëm?
Përgjigja më logjike e kësaj pyetje është se Banka e Shqipërisë nuk e do euron poshtë nivelit të 100 lekëve. Me shumë gjasa, kursi i këmbimit 1 me 100 perceptohet si një dysheme psikologjike për tregun valutor. Nëse euro e thyen këtë nivel dhe bie poshtë kursit 100 lekë ekziston rreziku i efektit kaskadë psikologjik që mund ta rrokullisë euron edhe më poshtë.
Kjo mund të kishte të tjera pasoja në parametrat makroekonomik të vendit, veçanërisht në treguesin e çmimeve. Dobësimi i euros do ta shtynte ekonominë drejt dizinflacionit. Në kushtet aktuale, kur inflacioni bazë po shkon poshtë nivelit 2 për qind, dobësimi i euros mund ta reduktonte edhe më shumë rritjen e çmimeve duke e shtyre ekonominë drejt inflacionit zero dhe ndoshta edhe drejt deflacionit. Për Bankën e Shqipërisë kjo nuk është e mirë.
Për ta thënë shkurt, Banka e Shqipërisë i ka vënë gjoksin baticës dhe po përpiqet ta mbajë euron me thonj në kursin 100 lekë. Por ky nuk është një biznes pa risk. Kur përpiqesh të mbash dallgën, zakonisht ajo bëhet më e madhe dhe të përplas në shkëmb. Përgjithësisht rrethimi i tregut është një strategji me fund të dështuar. Por e gjitha mbetet për t’u parë.
Ben Bernanke, ish shefi i rezervës federale, thotë se politika monetare është 97 për qind komunikim transparent me publikun dhe 3 për qind veprim. Por operacionet e tregut valutor nga Banka e Shqipërisë janë diskrete dhe zbardhen me 3 muaj vonesë. Pra, pas tre muajsh ne do të mësojmë arsyet dhe intensitetin e ndërhyrjeve të BSH në tregun valutor për të blerë euro. Por deri atëherë me shumë gjasa do të kemi marrë vesh edhe fatin e dallgës. A do të ndalojë ajo tek kursi 100 apo do të përplasë tej edhe Bankën Qëndrore?