Nga Boldnews.al
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka ndaluar kompaninë farmaceutike “CFO Pharma” të marrë pjesë në tendera shtetërorë për një periudhë 6-mujore, për shkak të keqinformimit të instituciove kontraktuese në dy procedura.
“CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit, nuk e ka për herë të parë që përfshihet në penalitete.
Disa vite më parë, Çausholli u arrestua, si një prej personave të dyshuar për përfshirje në skemë mashtruese me ilaçet e rimbursueshme. Pasi mbylli ato probleme me vendime të dyshimta gjyqësore, pronari i “CFO Pharma” u rikthye sërish në treg.
Pavarësisht pasaportës së dyshimtë tregtare, të dhënat publike dëshmojnë se “CFO Pharma” ka fituar më së paku rreth 29 milionë euro nga tenderat publikë gjatë periudhës 2019-2024
Ndërkohë, siç tregon edhe vendimi më i fundit i Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania dhe pronari i saj duket se nuk e kanë të lehtë që të respektojnë rregullat dhe normat e konkurimit të drejtë.
Në 8 Korrik 2024, Agjencia e Prokurimit Publik ka miratuar vendimin nr. 65, në bazë të të cilit “ka vendosur të përjashtojë për 6 muaj operatorin ekonomik CFO Pharma, nga e drejta për të fituar kontrata publike”.
Shkeljet e Nadirit
APP thotë se ka nisur hetimin administrativ, bazuar në informacionin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Operatori “CFO Pharma” ishte gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të rënda, në vlerën 200 mijë lekë të reja. Këtë fakt, kompania e Çaushollit e ka fshehur gjatë pjesëmarrjes në dy tendera të zhvilluara nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë dhe nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Has.
Sipas APP-së, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin, me qëllim keqinformimin e autoriteteve tenderuese. Ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.
Por, siç rezulton në procedurën e zhvilluar nga APP, Çausholli dhe kompania e tij kanë fshehur këtë fakt, duke u shpallur fitues në dy procedurat e mësipërme, në kundërshtim flagrant me ligjin.
Kjo shkelje procedurash i kushton rëndë shoqërisë “CFO Pharma”, e cila tashmë do të duhet të qëndrojë plot 6 muaj si “spektator” në tenderat publikë.
Tenderat
“Boldnews.al” ka kryer verifikimet mbi dy tenderat që penalizuan dhe përjashtuan nga kontratat publike “CFO Pharma-ën” e Nadir Çaushollit.
Procedura e parë është zhvilluar nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, me objekt “Blerje medikamente”, mbyllur në 30 janar 2024. Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në shumën 1.965.307 lekë të reja.
Të dhënat zyrtare tregojnë se ky tender është shënuar “me flamur të kuq”, për shkak se nuk ka pasur konkurencë. Kompania e vetme në garë ishte “CFO Pharma”, e cila ka fituar kontratën me ofertën 1.892.301 lekë të reja.
Procedura tjetër është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Has, me objekt “Blerje materiale mjekimi konsumi dhe kirurgjikale per nevoja spitalore”.
Procedura është mbyllur në 17 janar 2024 dhe fondi limit për këtë tender ishte 700.000 lekë të reja.
Nga shqyrtimi i dosjes së tenderit, rezulton se në garë kanë marrë pjesë 3 operatorë ekonomikë. Dy prej tyre, “Trimed” dhe “Aquarius Medical” janë përjashtuar nga gara, megjithëse kanë dhënë oferta më të ulta se sa “CFO” e Nadir Çaushollit.
Por, pas përjashtimit të tyre, në garë mbeti vetëm “CFO”, e cila u shpall fituese me ofertën më të lartë, në shumën 696.115 lekë të reja ose me 99.5 përqind të fondit limit.