31 marsi është afati i fundit për të punësuarit me të ardhura bruto mbi 1 mijë euro në muaj apo të ardhura vjetore 12 mijë euro në vit si dhe për të dy punësuarit për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave ( DIVA) pranë administratës tatimore, sa i takon vitit fiskal 2024.
Por përveç detyrimit për deklarim, këtë vit ka edhe përfitime.
Konkretisht, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat individët që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale nga punësimi dhe biznesi, mund të zbresin nga baza tatimore për periudhën tatimore përkatëse.
Neni 22 i ligjit përcakton se “tatimpaguesit zbresin një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët, prej 48 mijë lekësh.
Zbritja mund të kërkohet vetëm përmes deklaratës vjetore të të ardhurave (DIVA). Ndërsa pika 2 e po këtij neni sqaron se “Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1.2 milionë lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100 000 lekë.
Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Sipas ligjit, tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet deklaratës së statusit personal, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore.
Ministra e Financave po përgatit udhëzimin përkatës për deklaratat e reja të diva dhe mënyrën se si do të aplikohen zbritjet.
Një person është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij janë më shumë se 1,2 milionë lekë e të ardhurave bruto nga punësimi, ose më shumë se 50 mijë lekë e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.
Scan TV