26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dekretimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura/ Deputetët e opozitës sulmojnë Presidentin si shërbëtor i klientëve të Ramës

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi ligjin “Për zonat e mbrojtura”, që i hap rrugë ndërtimeve dhe betonizemeve në këto zona, edhe pse është kundërshtuar nga organizatat mjedisore dhe delegacioni i Bashkimit Europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se ai ligj përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, teksa sipas saj është kundër Kushtetutës dhe kundër trashëgimisë sonë natyrore. Deputetja demokrate paralajmëron se do dorëzojnë padi në Gjykatën Kushtetuese.

“Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik & proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës & kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”, shkruan Tabaku në rrjetin social “X”.

Ndërsa edhe më i ashpër ishte deputeti tjetër demokrat, Gazmend Bardhi.

Bardhi shprehet se kreu i shtetit humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

Sipas tij, në këtë rast prevaloi interesi “korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.”

“Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptarë”, shprehet Bardhi.

Bardhi nënvizoi më tej se “që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”.

Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve dhe sipas tij, “rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *