Pas rritjes së taksës së pronës në mes të vitit, familjet shqiptare do të kenë edhe një surprizë tjetër nga qeveria. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, veç taksave familjet do të paguajnë edhe sigurim të detyrueshëm për banesën e tyre.
Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili I detyron të gjitha familjet të sigurojnë çdo vit banesën e tyre.
Sipas draftit, skema e sigurimit do të jetë shtetërore. Për këtë qëllim, do të ngrihet Fondi Kombëtar i Tërmeteve, i cili do të krijohet si shoqëri aksionere nën pronësinë e ministrisë së Financave.
Por sa do të paguajnë familjet shqiptare për të siguruar banesat e tyre. Sipas projektligjit, çmimi i policës së detyrueshme të sigurimit nga tërmeti do të përcaktohet me vendim qeverie.
“Niveli i primit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare,” thuhet në projektligj.
Sipas draftit, në përcaktimin e primit të sigurimit, ndër të tjera, duhet të merret në konsideratë, humbja e mundshme maksimale për periudhën e caktuar të kthimit, shpenzimet e lidhura me cedimin në risigurim si dhe shpenzimet e tjera operative të Fondit Kombëtar të Tërmeteve.
Lejohet dhe menaxhim privat
Por në projektligjin e propozuar nga ministria e Financave, lejohet mundësia që Fondi Kombëtar i Tërmeteve mund të menaxhohet edhe nga kompani private. “Fondi mund të delegojë menaxhimin dhe administrimin operacional pranë një Operatori Teknik Ndërkombëtar,” thuhet në draft.
Projektligji përcakton se Operatori Teknik Ndërkombëtar duhet të jetë një shoqëri sigurimi ose risigurimi nga vendet e OECD-së/BE-së dhe të ketë së paku nivel të cilësisë së kreditit A, sipas përcaktimit të agjencive kryesore klasifikuese.
Pagesat e detyrueshme për banesën në Shqipëri, po rriten me ritme galopante. Pak kohë më parë, qeveria rriti çmimet e referencës mbi të cilën llogaritet taksa vjetore e banesave, që i rrit deri në 75 për qind pagesat për taksën. Kjo masë hyn në fuqi mënjeherë, ndërkohë që nga 1 janari pritet të hyjë në fuqi dhe një kosto tjetër shtesë, të cilat familjet shqiptare duhet të paguajnë për banesën e tyre. Ky është primi i detyrueshëm i sigurimit nga tërmeti.