28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Dëmi miliona USD/ KLSH: Të shkarkohet kreu i Albpetrol, Eltar Deda

Nga Boldnews.al

Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon shkarkimin nga detyra të Administratorit të kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol sha., Eltar Deda.

Ish-deputeti socialist, i cili mori drejtimin e Albpetrol në Tetor të vitit 2022.

Ai konsiderohet përgjegjës pasi, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar shkaktimin e dëmit ekonomik në vlerë miliona dollarë, si edhe ka vendosur kompaninë përballë rriskut që të humbasë edhe dhjetra milionë dollarë të tjerë.

Gjetjet janë renditur në një Raport Auditimi, të përfunduar së fundmi nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Dëmi më i madh është konstatur në shitjen e naftës bruto, të nxjerrë nga degët e Albpetrolit.

Sipas KLSH-së, u konstatua se kompania publike ka shitur në ankande produktin naftë jashtë standartit teknologjik. Në këtë mënyrë, është ulur çmimi i naftës së shitur dhe rrjedhimisht, edhe fitimi real i shoqërisë publike.

Audituesit shtetërorë kanë përllogaritur se, vetëm për shkak të kësaj situate, kompanisë Albpetrol i mungojnë rreth 5.8 milionë dollarë të ardhura.

Gjithashtu, shoqëria Albpetrol sh.a Patos, nga ana e sajë nuk ka marrë asnjë masë shtrëngues për arkëtimin e detyrimeve të energjisë elektrike të konsumuar nga shoqëritë koncesionarëve që operojnë në tregun e naftës.

Sipas KLSH-së, ky veprim përben risk të lartë për shoqërinë “ALBPETOL” sha me efekt financiar me dëm në shumën 3,013,481,000 lekë së bashku me kamatëvonesat, pasi në rast falimentimi ose largimi të ndonjë prej shoqërive koncesionare, detyrimet për energjisë mbesin për likujdim shoqërisë Albpetrol sh.a Patos.

Nga ana tjetër, audituesit shtetërorë kanë konstatuar problematika në një seri të gjatë tenderash publikë të zhvilluar nga Albpetrol, ku janë vërejtur standarte të dyfishta, kritere diskriminuese për operatorët ekonomikë e të tjerë, me një dëm ekonomik me vlerë disa milionë dollarë.

Për të gjitha këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar masa disiplinore për disa drejtues të kompanisë “Albpetrol”, përfshirë Administratorin Eltar Deda, për të cilin i sugjerohet Këshillit Mbikqyrës që ta shkarkojë nga detyra.

Shkeljet direkte të Eltar Dedës

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka ndarë në dy kategori ato që i konsideron si shkelje të rënda, të kryera nga Administratori i shoqërisë “Albpetrol sha”, Eltar Deda.

Së pari, janë veprime konkrete të z. Deda, në kundërshtim me kuadrin ligjor. Dhe së dyti është pasiviteti i tij për të rikuperuar dëmet dhe zbatuar rekomandimet e mëparshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkeljet e evidentuara si të kryera nga paraardhësit e tij.

Nafta bruto

Në lidhje me sasitë e ujit që tejkalojnë normat teknologjike në produktin naftë argumentimet e specialistëve të QASHNG, Qendra e Administrimit të Shitjes së Naftës dhe Gazit, janë se nafta vjen jashtë standardeve nga qendrat e tjera, dhe për këtë fakt janë njoftuar administratorët, të cilët kanë lëshuar urdhra për pranimin e produktit naftë bruto dhe jashtë standardeve teknologjike, (me ujë mbi 3%, deri në 14 %). Urdhrat nr. 182 datë 07.09.2021, “Për procedurë e inspektimit dhe kontrollit të qarkullimit të produktit Naftë Bruto”, 182/2 datë 16.12.2021, dhe 182/3 datë 17.12.2021.

Argumentet e sjella nga qendrat janë se nuk kanë pajisjet për të bërë ndarjen e plotë të ujit dhe se nuk mund të ndalojnë punën në puse. Në momentin kur produkti i gatshëm i shitet kompanive fituese të ankandeve, në depozitat e shitjes nafta bruto ngrohet dhe përgatitet në parametrat teknologjikë me përqindje uji më të vogël se 3%, ndërkohë që pjesa tjetër është produkt i gatshëm në mungesë.

Nga mosveprimet e shoqërisë Albpetrol sha janë evidentuar efekte ekonomike negative me dëm në vlerën 20,611,914 lekë.

Groposja e 311 ton naftë

– Albpetrol sha në lidhje me veprimet që ka kryer për riparimin e depozitës RMV 8000/8 në Zharrëz nuk ka zbatuar udhëzimet në lidhje me ligjin për akcizën, ku citohen qartë lajmërimet që duhet të kryente si dhe detyrimin për prezencën e përfaqësuesve të Doganës në momentin e fillimit të riparimeve si dhe në momentin e groposjes së masës volumore 311.1 ton naftë bruto.

Faturat e fryra të energjisë elektrike

– Gjatë periudhës 2021-2022, kompania B…M nuk ka kryer pagesat për energjinë elektrike. Për këto mospagesa Albpetrol sh.a Patos ka maturuar penalitete e kamatëvonesa.

Gjatë vitit 2022 Albpetrol ka ndërmarrë veprime administrative duke marrë vendime gjykate si tituj ekzekutiv për faturat e papaguara.

Gjithashtu është marrë si titull ekzekutiv dhe një faturë penalitetesh për mospagesat e faturave të energjisë elektrike. Llogaritja e kamatëvonesave është kryer sipas Ligjit nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuar në detyrimet kontraktore e tregtare”.

Llogaritja bazuar në këtë ligj është më e vogël se kamatëvonesa që ka aplikuar OSHEE për faturat e papaguara nga Albpetrol sh.a Patos Vlera e kamatëvonesës së aplikuar nga O…E me atë që ka llogaritur Drejtoria Ekonomike e Albpetrol sh.a Patos, përbën dëm ekonomik për shoqërinë. OSHEE sh.a. ka bërë një akt-rakordimi për detyrimet që ka Albpetrol sh.a Patos, për principalin dhe kamatë vonesat.

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion u konstatua se Albpetrol sha ka kërkuar kamatëvonesa për pagesat me vonesë të B…M në vlerën 175,458,324 lekë, kur detyrimi që Albpetrol ka ndaj FSHU sha, për kontratat përkatëse për kamatëvonesa është 1,356,345,939 lekë.

Vlera 1,180,887,615 lekë përbën shpenzime jo të justifikuara nga Albpetrol sha.

Shkeljet “indirekte” të shefit të Albpetrol

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një procedurë auditimi të mëparshme, konstatoi shkelje të ndryshme në veprimtarinë e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, si edhe la disa rekomandime për të përmirësuar situatën financiare të saj.

Në raportin e fundit, KLSH ka konstatuar se Eltar Deda, në cilësinë e Administratorit të shoqërisë publike, nuk ka marrë masa për normalizimin e situatës dhe problematikave të konstatuara më herët, të renditura në vijim.

Abuzimi me naftën për “shefat”

Me vendimin nr. 9865 datë 06.12.2021, administratori i shoqërisë ka miratuar kuotën mujore prej 500 litra/gazoil/benzine, ku tërheqja e kësaj sasie do të behej me tollona pranë magazinës së Albpetrol nga drejtoria e përfaqësimit dhe koordinimit me institucionet. Në bazë të këtij urdhri janë marrë sasi karburanti për 7 muaj të vitit 2021.

Me vendimin nr. 5132 datë 28.07.2021, administratori ka shfuqizuar vendimin nr. 9865 datë 06.12.2021 duke përcaktuar si kuotë mujore, për këshillin mbikëqyrës sasinë prej 1000 litra/gazoil/benzinë, në bazë të këtij urdhri janë marrë sasi karburanti për një muaj.

Me vendimin nr. 5256 prot., datë 03.08.2021, ka miratuar kuotën mujore prej 500 litra/gazoil për Këshillin Mbikëqyrës, në bazë të këtij urdhri janë marrë sasi karburanti për muaj të vitit 2021.

Me vendimin nr. 2529 prot., datë 24.03.2022, ka miratuar kuotën mujore prej 250 litra/gazoil për Këshillin Mbikëqyrës. Me vendimin nr. 5256/1 prot., datë 04.06.2022, ka miratuar kuotën mujore prej 500 litra/gazoil për Këshillin Mbikëqyrës.

Me vendimin nr. 7911 prot., datë 31.10.2022, ka miratuar kuotën mujore prej 1000 litra/gazoil për Këshillin Mbikëqyrës.

Të gjithë vendimet e sipërcituara baza ligjore e përdorur për dhënien e këtyre vendimeve nuk citon për miratimin e dhënies së kuotës mujore me karburant për llogari të Këshillit Mbikëqyrës. Gjithashtu nuk është përcaktuar arsyeja e dhënies së sasisë së karburantit për Këshillin Mbikëqyrës dhe si do të justifikohej nga ana e Këshillit konsumi i karburantit të dhënë.

Nga auditimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mbajtura nga Sekretarja e Këshillit Mbikëqyrës nuk konstatohet të jenë kryer mbledhje në selinë e Shoqërisë Albpetrol sh.a Patos por të gjitha mbledhjet ku Këshilli ka marrë vendime për shoqërinë janë mbajtur në Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *