26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Denoncimi/Mërtiri dhe Zoto i falën 12 makina Bashkisë së Tiranës për të detyruar ndërtuesit të çonin dherat në landfill

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka bërë ditën e sotme një tjetër denoncim se si inceneratori i Tiranës vihet në dispozicion të “pronarit real”, kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Në një deklaratë nga selia blu, Këlliçi u shpreh se më 15 Prill të vitit 2020 kompania “INTEGRATED ENERGY BV SPV” dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, lidhet një kontratë hua-përdorje për 12 mjete të cilat do të përdoren nga Policia Bashkiake pas situatës së vështirë të krijuar me pandeminë Covid-19. Këlliçi shtoi më tej se kontrata është amenduar në datën 15.10.2020 dhe 15.10.2021 e në vijim dhe ende sot këto mjete janë në përdorim të Policisë Bashkiake.

Ish-deputeti demokrat tha se këto mjete i kushtojnë Integrated Energy BV SPV 80 mijë euro çdo vit, pasi janë janë paguar mbi 300 mijë euro nga buxheti i shtetit për investimin dhe ndërtimin e Inceneratorit, që ende sot nuk ekziston.

Belind Këlliçi publikoi dhe e-mailet e shkëmbyer mes Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në lidhje me këtë kontratë. Ai shtoi më tej se për këto fakte të reja dhe të tjera që do të nxjerrë lidhur me këtë çështje në ditët në vijim, ku ka Veliaj firmën dhe sipas tij ka dhe një drejtor që i përfiton këto para, paralajmëroi se do t’i drejtohet sërish SPAK, por këtë herë me një kallëzim penal të drejtpërdrejtë për Erion Veliajn.

Të nderuar qytetarë,

Sot po ju paraqesim dokumenta dhe fakte të reja, të cilat vërtetojnë katërcipërisht se si Inceneratori fantazmë i Tiranës, vihet në dispozicion të pronarit real të saj, Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Në datën 15.04.2020 me nr.12619 prot., nëpërmjet kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV dhe kryebashkiakut ERION VELIAJ, lidhet një kontratë hua-përdorje për 12 mjete të cilat do të përdoren nga Policia Bashkiake pas situatës së vështirë të krijuar me pandeminë Covid-19.

Në kontratë palët shprehen se këto mjete janë në pronësi të kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV sipas të dhënave të lejeve të qarkullimit të tyre sipas Aneksit numër 1 bashkëlidhur kësaj kontrate.

Kjo kontratë është amenduar në datën 15.10.2020 dhe 15.10.2021 e në vijim.

Ende sot këto mjete janë në përdorim të Policisë Bashkiake.

Këto mjete i kushtojnë Integrated Energy BV SPV 80.000 euro çdo vit. Pra deri më sot, për dhunimin sistematik të shitësve ambulantë, për gjobvënien e përditshme ndaj qytetarëve të Tiranës, që kanë frikë të kthejnë kokën nga një anë, pasi të vjen gjoba nga Policia Bashkiake e Erion Veliajt, janë paguar mbi 300.000 euro, para të cilat buxheti i shtetit i jep për investimin dhe ndërtimin e Inceneratorit, që ende sot nuk ekziston.

Ndërkohë në e-mailin që mban datën 6 prill, 2020, ora 22.41 minuta, Mirela Veli, Drejtoreshë në Bashkinë Tiranë, i drejtohet Administratores në letra të Inceneratorit të Tiranës, duke i nisur draft kontratën që ju treguam pak më parë.

Ditën e nesërme, më datë 7 prill, 2020, ora 11.48, ky e-mail i përcillet Klodian Zotos, ku i kërkohet informacion nëse duhet të bëhet ndonjë koment, pasi nuk Administratori nuk e dinte për çfarë Klodian Zoto kishte rënë dakord kur kishte bërë biseda me Bashkinë Tiranë në lidhje me këtë çështje.

Pyetja që i drejtojmë sot SPAK-ut, e nesër do ia përcjellim zyrtarisht është: Me kë komunikoi Klodian Zoto në Bashkinë Tiranë? Me “lalin” si në rastin e çerdhes 1 milionë dollarë që ia bëri dhuratë për zgjedhjet e 2019, apo me Veliajn i cili firmosi angazhimin financiar të Bashkisë Tiranë, pa pyetur as Këshillin Bashkiak dhe as shokët e qarkut, në vitin 2017, duke e futur Bashkinë Tiranë në një angazhim financiar qindra miliona eurosh për 30 vite me rradhë?

Për këto fakte të reja dhe të tjera që do të nxjerrim lidhur me këtë çështje në ditët në vijim, pasi ku ka Veliaj firmë, ka dhe një drejtor që i përfiton këto para, do t’i drejtohemi sërish SPAK, por këtë herë me një kallëzim penal të drejtpërdrejtë për Erion Veliajn.

Nëse Rama dhe Veliaj mendojnë se me burgosjen e Kryetarit të Opozitës, do të shuajnë zërin e saj, unë jam sot përpara jush për t’i kujtuar dhe njëherë ata, se zëri ynë është i fortë, Partia Demokratike është në këmbë dhe çdo ditë e më shumë ne do të vijojmë betejën tonë pa kthim, për largimin një orë e më parë të kësaj dyshe që ka shënuar rekorde botërore korrupsioni dhe kriminale.

Faleminderit!

      

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *