3 Prill, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Depozitat e siguruara, 1.5 trilionë lekë/ ASD: Gati 93% e kursimeve në banka kompensohen plotësisht

Me rritjen e numrit të depozitave, është rritur edhe sigurimi i tyre nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Totali i kursimeve në sistemin bankar për fundin e vitit 2024 ishte 1.6 trilionë lekë.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), vlera e depozitave të sigurueshme, pra vlera e agreguar e të gjitha depozitave të individëve dhe bizneseve që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave, arriti 1.5 trillionë lekë, duke përfaqësuar 94.5% të totalit të depozitave. Krahasuar me një vit më parë rritja ishte 5.2%, ndërsa në vlerë absolute 78.9 mld lekë.

Gjatë vitit 2024, ASD ka siguruar kursimet e individëve dhe bizneseve në 11 banka dhe 9 shoqëri kursim-krediti.

Depozitat e siguruara në sistemin bankar ishin 54.7% e totalit në sistemin bankar dhe 57.9% e depozitave të sigurueshme. Gati 93% e depozituesve në banka kompensohen plotësisht. Detyrimi i ASD për kompensim në 2024 ishte 921 mld lekë.

Nga ana tjetër, totali i depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit për vitin që lamë pas ishte 11.5 mld lekë. Depozitat e sigurueshme janë 11.3 mld lekë dhe zënë 98,4% të totalit të depozitave. Këto mjete që kanë një rritje vjetore 4.8%, i korrespondojnë 44,270 klientëve individë dhe biznese.

Depozitat e siguruara, pra pjesa e depozitës së sigurueshme e një individi, por në çdo rast jo më shumë se 2.500.000 lekë, në shoqëritë e kursim-kreditit janë 8.1 mld lekë, sa 70% të totalit të depozitave, ose 71% të depozitave të sigurueshme. Rreth 91% e depozituesve në shoqëritë e kursim-kreditit kompensohen plotësisht.

Në rast falimentimi të bankës, ASD kompenson me një shumë të caktuar një individ, apo biznes, për depozitën dhe interesat që ka pasur në atë bankë.

ASD siguron shlyerjen e plotë të fondeve të depozituesit pranë çdo banke ose shoqërie kursim-krediti, pavarësisht nga numri dhe shuma e depozitave, deri në shumën 2,500,000 lekë në rast se Banka e Shqipërisë i heq licencën një banke, dhe deri në shumën 2,000,000 lekë në rast se Banka e Shqipërisë i heq licencën një shoqërie kursim krediti.

Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *