26 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Dërgesat e emigrantëve u dyfishuan për 10 vjet/ Vala e emigracionit rrit remitancat në rekordin historik

Dërgesat e emigrantëve tejkaluan kufirin 1 miliardë euro gjatë vitit të kaluar duke shënuar një rekord të ri historik dhe duke konfirmuar indirekt valën masive të largimit të shqiptarëve jashtë shtetit, në kërkim të një jete më të mirë.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar emigrantët shqiptarë dërguan 1 miliardë e 45 milionë euro ose gati dy herë më shumë se sa në vitin 2013.

Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të ndikuar nga konfliktet. Në total, emigrantët kanë dërguar të paktën 117 milionë euro më shumë se viti pararendës. Bëhet fjalë për rreth 12.6% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë vitit 2024.

Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 272 milionë euro dërgesa. Kjo shifër është më e larta që nga viti 2008, nëse analziojmë të dhënat me bazë tremujore. Në tremujorin e 4-tët të vitit të kaluar, remitancat rezultojnë 8.2% më të larta se tremujori i njëjtë i vitit pararendës.

Nga këto shifra duket qartë se emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të ndihmuar familjet shqiptare, madje duke dërguar edhe më shumë para se gjatë pandemisë, kur shumë ekonomi familjare u prekën rëndë nga shpenzimet për shëndetësinë si pasojë e covid-19.

Megjithatë, shumë më shumë do të fitonin familjet shqiptare nga dërgesat e emigrantëve nëse monedha europiane do të paraqitet në nivele më të larta se këto dy vitet e fundit.

Edhe pse euro nuk është monedha bazë e vendit, nënçmimi i saj kundrejt lekut padyshim që ka impaktuar ekonominë shqiptare, po ashtu edhe familjet të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve apo ato të cilat i kanë kursimet në euro. Por, nga ana tjetër, gjithë këto flukse hyrëse në ekonominë shqiptare kanë peshën e tyre në nënçmimin e euros.

Scan 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *