Qeveria zgjodhi ditët e fundit të vitit 2024 për të miratuar tre koncesionet e autostradës Shkodër-Fier. Përmes tre vendimeve të posaçme, Këshilli i Ministrave miratoi kontratat koncesionare segmenteve nga Miloti deri në Fier.
Vendimi i parë miraton kontratën e segmentit Miloti-Thumanë. Aksi me gjatësi 13.5 kilometra, i ndërtuar nga ish qeveria e Partisë Demokratike tashmë i jepet me koncesion për 35 vjet bashkimit të shoërive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K- Konstruksion”. Këto kompani do të investojnë 44.6 milionë euro për përmirësimin e rrugës dhe në këmbim do të arkëtojnë tarifën 0.67 euro për çdo automjet.
Kontrata e dytë e miratuar është ajo e segmentit nga Kashari deri në Lekaj. Rruga me gjatësi 26.6 kilometër do të ketë një kosto projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtje prej 474,8 milionë euro për 35 vitet e ardhshme. Ajo do të ndërtohet nga bashkimi i shoqërive “Gjoka Konstruksion” sh.a, “Junik” sh.p.k., “Cobial” sh.p.k, “Pepa Group” sh.p.k, “UDHA” sh.p.k., “Geoportal” sh.p.k. dhe “A&E Engineering” sh.p.k.
Kjo rrugë nuk ka asnjë gjurmë dhe do të ndërtohet e gjitha nga paratë e kompanive private të shpallura fituese. Në këmbim ato do të arkëtojnë për 35 vjet tarifën 3.8 euro për çdo automjet.
Kontrata e fundit e miratuar është ajo e segmentit nga Lekaj në Fier. Kjo rrugë me gjatësi 46 kilometra është pjesërisht e ndërtuar, por jo në kategorinë e autostradës. Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të Vogël me mbarimin e aksit Kashar-Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit pranë zonës së Mbrostarit. Kompanitë e shpallura fituese në këtë koncesion janë “Fusha”, “Agbes” “Construksion” “Albavia” “Kupa” “Ante-Group”, “Klodioda” “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera”.
Këto kompani do të investojnë 320 milionë euro për shndërrimin e rrugës në autostradë, mirëmbajtjen e saj për 35 vjet dhe ndërtimin e rrugëve dytësore, pasi gjurma e kësaj autostrade kalon thuajse e gjitha në zona të banuara. Në këmbim kompanitë do të arkëtojnë tarifën 2.5 euro për automjet.
Të tre këto koncesione pritet të realizojnë një qarkullim nga 1 miliardë deri në 1.3 miliardë euro secila për gjithë periudhën 35 vjeçare.