3 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rama në RAI 3: Luftar Hysën e kam takuar në zyrë, nuk e dija që ishte narkotrafikant

Në intervistën për gazetarin italian të Rai3, Giorgio Mottola, kryeministri Edi Rama mohoi që të ketë zhvilluar ndonjëherë takime me kriminelë.

Mottola e pyeti Ramën nëse distancohet edhe nga Luftar Hysa, dhe nëse do t’i anulojë koncesionin për kazinonë dhe Valona Construction sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës. Kreyministri tha se ai nuk është shteti dhe se as nuk jep dhe as nuk anulon koncesione. Ai mohoi po ashtu të ketë dijeni lidhur me veprimtarinë e tij.

Pjesë nga intervista

Rai3: Unë, sidoqoftë, jam gazetar dhe marr në intervistë kriminelë dhe jokriminelë, ndërkohë ju, si kryeministër, nuk duhet të takoheni me kriminelë.

Kryeministri : Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese.

Rai3: Atëherë, distancoheni nga Luftar Hysa?

Kryeministri : Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse…

Rai3: Jo, nuk bën pis, sepse tani do ju bëj këtë pyetje. Duke qenë se tani e dini kush është Luftar Hysa, do ia anuloni koncesionin për kazinonë? Do e anuloni lejen për Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës?

Kryeministri : Më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë.

Rai3: Po keni post shtetëror.

Kryeministri : Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Twitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qesim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit.

Rai3: Pra, duke qenë se keni dhënë një koncesion, keni nisur hetim për këtë shoqëri?

Kryeministri: Ju po më thoni një gjë që vetëm tani e marr vesh, se po ma thoni ju, se as nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Jua përsëris, edhe njëherë, ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”

Rai3: Po, po, kur më pas zbulohet se ka një hetim ndërkombëtar, pezullohet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare, nëse dyshohen si mafioze, që do të thotë se, nëse janë mafioze, nuk ka nevojë as për proces gjyqësor.

Kryeministri: Edhe njëherë, se po i shtojmë fjalë…

Rai3: Jo nuk dua të shtoj gjë.

Kryeministri : … për këtë. Ju po përpiqeni ta çoni intervistën në drejtimin që doni, që do të thotë, të vazhdoni të këmbëngulni te emisioni i mëparshëm, që këtu ka një histori kriminelësh, një histori personazhesh të errëta e kështu me radhë.

Rai3: Nëse kryeministrja italiane do të takohej me njeriun që pastron paratë për kartelet meksikane, do i bëja pyetje të përsëritura breshëri vetëm për këtë aspekt.

Kryeministri : E kuptoj.

Rai3: Kështu që, nuk ka të bëjë me ju e me Shqipërinë.

Kryeministri : E kuptoj, por po jua përsëris. Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje. Është drejtësia, është…)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *