Teksa hetimet për inceneratorin e Tiranës kanë prerë kokat e para, përgjithësisht në nivele të ulëta, një nga kritikat kryesore ndaj SPAK mbetet ajo e mosgjetjes se ku shkuan 100 e ca milionë euro të paguara nga buxheti dhe qytetarët për kompaninë koncesionare Integrated Energy BV.
Dokumentat tregojnë se një pjesë e madhe e parave janë nxjerrë jashtë kompanisë përmes nënkontratimeve dhe faturave fiktive për t’u tretur më pas në kontot private të atyre që qëndronin pas skemës së korrupsionit. Kapitali publikon sot ekskluzivisht një rast flagrant.
Në 31 maj të vitit 2019, kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës Integrated Energy nënshkruan një kontratë shërbimi me një kompani bullgare të quajtur EM Capital Group AD.
Sipas kontratës, EM Capital Group do t’i ofronte kompanisë së inceneratorit shërbime konsulence. Ndër to përfshihej këshillim për zhvillimin strategjik të biznesit, këshillim për zhvillimin e biznesit, analiza mbi produkte specifike dhe tregje gjeografike, të cilat mund të penetroheshin dhe këshillime për të zgjidhur problemet e ndryshme me efiçencë.
Në këmbim të këtyre shërbimeve kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës do të paguante 800 mijë deri në 1 milionë euro në muaj për kompaninë bullgare EM Capital Group.
“Palët vlerësojnë se pagesat totale që do të faturohen për shërbimet e ofruara do të jenë rreth 800 mijë deri në 1 milionë euro në muaj,” thuhet në nenin 6.3 të kontratës.
Sipas kontratës, kompania bullgare do të lëshonte faturë në çdo fillim muaji për koncesionarin e inceneratorit të Tiranës për shërbimet e muajit paraardhës dhe nëse ky i fundit vononte pagesën, atëherë do të paguante dhe kamatvonesë. Kjo kontratë praktikisht krijonte mundësinë që të nxirrej jashtë kompanisë koncesionare të inceneratorit thuajse e gjithë pagesa mujore që ajo përfitonte nga Bashkia e Tiranës për depozitimin e mbetjeve të kryeqytetit në landfill.
Kush i mori paratë?
Em Capital Group AD është një kompani e themeluar në Bullgari në mars të vitit 2019, pra vetëm dy muaj para lidhjes së kontratës me koncesionarin e inceneratorit të Tiranës. Sipas dokumentave nga regjistri kombëtar i biznesit në Bullgari, kjo kompani zotërohej nga të njëjtit njerëz të përfshirë në inceneratorin e Tiranës, përkatësisht Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët zotëronin respektivisht 33 dhe 34 për qind të aksioneve në kompaninë bullgare.
Por në listën e aksionerëve të saj kishte dhe një hyrje të re. Kjo ishte shtetasja shqiptare Eva Blushi, e cila sipas dokumentave zyrtarë nga regjistri bullgar i biznesit zotëronte 33 për qind të aksioneve në kompaninë EM Capital Group.
Në fakt, që në momentin e parë të regjistrimit të kësaj kompanie në Bullgari dhe zbulimit të aksionerëve të saj, autoritetet bullgare u vunë në alert. Kjo pasi emri i Eva Blushit figuronte në listën e personave të ekspozuar politikisht në databazën botërore të përshtatshmërisë së LexisNexis.
Arsyeja për këtë ishte e qartë. Zonja Blushi ishte bashkëshortja e Ben Blushit, ish ministër në qeverinë socialiste të Fatos Nanos, më vonë ish deputet i kësaj force nën drejtimin e Edi Ramës dhe më vonë ish kryetar i Libra.
Kapitali nuk arriti të vërtetojë se sa para janë paguar gjithsej nga koncesionari i inceneratorit të Tiranës drejt kompanisë bullgare. Këto të dhëna mendohet se disponohen nga SPAK. Por kontratat e këtij lloji dhe pagesat për ITS-në e Klodian Zotos kanë qenë disa nga mënyrat se si u tretën në drejtim të paditur paratë e inceneratorit të Tiranës.