21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Drejtorët e Ballukut/ Rioshët që po ndërtojnë Shqipërinë duke marrë tenderat vet

Spartak Kovaçi ish drejtori i Ujësjellësit të Durrësit do të mbahet mend më së shumti për dy gjëra. Së pari sepse nën administrimin e tij falimentoi Ujësjellësin e Durrësit, ndërsa rekordi i dytë është se i jepte tendera familjes së tij.

Pasi skandali i zotit Kovaçi shpërtheu në publik dhe pasi mediat raportuan se në zyrën e tij mësynë hetuesit e BKH-së, në mars të vitit të kaluar, Belinda Balluku u detyrua ta largojë nga detyra duke e zëvëndësuar atë më Gerald Dautajn. Por ndonëse u largua nga drejtimi i Ujësjellësit, zoti Kovaçi nuk është larguar nga përfitimi i tenderave publikë të ujësjellësave. Dhe i fundit është një llokmë shumë e madhe.

Në fund të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës kanalizimeve hapi një tender me vlerë 8.9 milionë euro për sistemin e ri të kanalizimeve në zonën e Spillesë. Në garë u paraqitën vetëm dy oferta. Ajo e bashkimit të shoqërisëve 2T dhe Adriatik me vlerë 8.4 milionë euro si dhe oferta e dytë e shoqërisë Fusha me vlerë 8.85 milionë euro, shumë pranë fondit limit.

Agjencia e Ujësjellës Kanalizimeve shpalli fituese bashkimin e kompanive 2T dhe Adriatik. Kompania e parë njihet gjerësisht për publikun si ndërtuesja e banesës së kryeministrit Edi Rama në Surrel. Ajo zotërohet nga dy aksionerë, njëri prej të cilëve është Artan Sako, vëllai i ish komandantit të Gardës.

Ndërsa kompania e dytë njihet si kompania e familjes së Spartak Kovaçit, pasi zotëruesi i 100 për qind të aksioneve të saj është Petrit Kovaçi, babai i ish drejtorit të Ujësjellësit të Durrësit.

Duke qarë hallet e Shqipërisë

Zyrtari që firmosi tenderi 8.4 milionë euro për Kovaçin është Klevis Jahaj, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve. Zoti Jahaj dhe zoti Kovaçi nuk janë të panjohur për njëri tjetrin. Bashkë ata kanë qarë hallet e Shqipërisë duke punuar ditë e natë për zgjidhjen e tyre dhe zhvillimin e vendit.

Në këtë foto Jahaj dhe Kovaçi shfaqen në një mbledhje të drejtuar nga Emirjana Sako, ku u shtruan bazat për reformën në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me plan rritjen e investimeve në shkallë rajonale. Dhe investimet me sa duket janë me cikël të mbyllur. Ata që marrin vendimet për investime, pasi mbarojnë mbledhjet i firmosin tendera njëri tjetrit.

Por ky është një tender që ka dhe një veçori tjetër. Të gjithë garuesit janë persona nën hetim ose me masë nga SPAK.

Biznesmeni Shkëlqim Fusha është me masën e detyrimit të paraqitjes për çështjen Veliaj, ndërsa Sako dhe Spartak Kovaçi janë nën hetim dhe janë thirrur disa herë në zyrat e SPAK.

Megjithatë fijet e këtyre personazheve me pushtetin ngjasojnë me ato të merimangës. Zoti Kovaçi është duke ndërtuar një hotel luksoz në Durrës. I quajtur Azure Elegance Hotel, leja për të është marrë në maj të vitit 2023 nga kompania Adriatic Union. Kjo e fundit në atë kohë zotërohej nga dy aksionerë, Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, vëllai i zëvendësministrit të Infrastrukturës, Ceno Klosi.

Më vonë, pas marrjes së lejes me firmën e Edi Ramës, Genti Klosi i shiti aksionet për një çmim simbolik dhe pronar i kompanisë u bë 100 për qind Petrit Kovaçi. Nuk dihet nëse shitja ka qenë reale, pasi një sërë hetimesh të SPAK kanë treguar se në shumë raste pronarët në letra dhe ata faktikë të kompanive nuk përputhen.

Disa raportime në media kanë zbuluar se zëvendësministri i Energjisë dhe ish drejtori i Ujësjellësit të Durrësit kanë dhe lidhje të afërta farefisnore duke qenë çuna tezesh, por Kapitali nuk ka mundur ta verifikojë dot me siguri maksimale këtë informacion.

State of the Art
Historikisht infrastruktura ka qenë një nga sektorët më të korruptuar të jetës publike në Shqipëri. Por veçanërisht gjatë viteve të fundit, korrupsioni në këtë sektor ka arritur në atë nivel që anglezët e quajnë “State of the Art”.

Tashmë ai nuk ndodh më vetëm në formën e rryshfetit, por me përfshirjen direkte në tendera të zyrtarëve publike. Nj 5D e madhe e shtrirë kudo. Nga rrugët tek ujësjellësit, ku gjenden ngado gjurmët e gjakut të plaçkitjes me fytyra rinore.

Këta janë të ashtuquajturit djemtë e Ballukut, një sërë drejtorësh rioshë të cilët drejtojnë kompanitë dhe agjencitë më të rëndësishme të vendit, ku prokurohen miliarda lekë çdo vit. Në ARRSH, Kanalizime dhe Energji tenderat dhe koncesionet vërshojnë lumë, shpesh në kompanitë e lidhura me rioshët ose familjarët e tyre.

Dhe ndërsa rrugës disa prej tyre bien rob në SPAK, ka gjithmonë të tjerë në radhë. Fjala vjen, një Evis bie tek ARRSH, një Klevis ngrihet tek kanalizimet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *