Sezoni turistik duket se ka nisur më herët këtë vit, ndaj përgatitjet janë të dukshme kudo në zonën e plazhit.
Kontratat me agjencitë e huaja janë lidhur prej kohësh, ndërsa drejtuesit e hoteleve thonë se ardhja e grupeve të para të turistëve të huaj pritet në muajin prill. Në bazë të kontratave, pritshmëritë janë që ky vit turistik të jetë më i mirë.
Në pikun e sezonit turistik duket se do të jetë e vështirë të gjesh dhoma të lira, pasi muajt korrik dhe gusht nuk kanë më hapësira për rezervime.
Shumica e hoteleve cilësore në zonën turistike nga Durrësi në Qerret, në një vijë bregdetare, po aplikojnë paketa ‘all inclusive’, ku turistët e huaj kanë parapaguar ushqimin, akomodimin, aksesin në plazh dhe qendrën SPA.
Ajo që është vënë re gjatë dy viteve të fundit në këtë zonë është rritja e ndërtimeve të reja, pasi ka një kërkesë në rritje nga viti në vit nga agjencitë e huaja turistike për bregdetin shqiptar.
Klan