Komisioni i Konkurrencës, vendosi nën hetim paraprak Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Konkurrenca njofton se hetimi ka nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania SHA, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA.
“Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës,” thuhet në njoftimin zyrtar të Autoritetit.
Neni 4 dhe ai 9 i ligjit të konkurrencës kanë të bëjnë respektivisht me marrëveshjet e ndaluara si dhe abuzimin me pozitën dominuese në treg. Sipas AK, tregu i telefonisë celulare ka qënë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të këtij institucioni me qëllim jo vetëm mbrojtjen e konkurrencës por si rrjedhojë edhe të konsumatorit.
“Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1156, datë 29.01.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA. Ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024,” tha Konkurrenca.
Për shkak të blerjeve dhe shkrirjeve tregu i telefonisë celulare në Shqipëri tashmë ka mbetur vetëm me dy aktorë, kompania Vodafone dhe ajo One.