Ministri i Pushtetit Lokal, Arbian Mazniku, i cili për shumë vite ka mbajtur dhe postin e nënkryetarit në Bashkinë e Tiranës, është thirrur në SPAK këtë të hënë. Nuk dihet ende se në çfarë rrethanash dhe për cilën çështje prokurorët kanë vendosur të therrasin Maznikun.
Por aktualisht SPAK ka në dorë dy çështje të nxehta për Bashkinë e Tiranës. E para është ajo e inceneratorit të Tiranës, për të cilën SPAK thotë se është një aferë korruptive dhe Gjykata ka miratuar një sërë urdhër arrestesh, përfshirë punonjës të bashkisë deri në nivel drejtorash.
Ndërsa hetimi i dytë i nxehtë është ai për dosjen 5D. Kjo kompani në pronësi të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës ka marrë miliona euro tendera publikë dhe dyshohet se ka shërbyer si mekanizëm i pastrimit të parave të korrupsionit përmes investimit të tyre në sektorin e turizmit dhe pasurive të patundshme. Edhe për këtë hetim tashmë SPAK ka arrestuar disa ish drejtorë të lartë të Bashkisë së Tiranës.
Nuk dihet nëse thirrja e zotit Mazniku nga prokurorët e njësisë së posaçme lidhet me ndonjërën prej këtyre dy hetimeve.