9 Janar, 2025
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Edi Rama bën histori

Klodian Tomorri

Edi Rama, duke mbajtur gotën e mbushur nga një shishe e sapohapur Romanee Conti në njërën dorë dhe telefonin në dorën tjetër, qëndroi në një cep të errët të studios, në mes të disa pikturave të zvenitura që kishte punuar së fundmi.

Zhytja e mbrëmjes në qetësinë e studios ndodhte shpesh, thuajse gati përditë, por ky këtë herë nuk ishte një moment i çfarëdoshëm. Të nesërmen, ai do t’u prezantonte shqiptarëve një nga arritjet më të mëdha historike të Shqipërisë shtet dhe ndoshta dhe asaj tribale; uljen e çmimit të energjisë me 1 lekë.

Në mbledhjen që qeveria kishte patur më parë gjatë ditës, ministrat kishin pritur me kërshëri që kryeministri të thoshte diçka. Por ai nuk tha asgjë; Kryekreu kishte qenë i heshtur pothuajse gjatë gjithë ditës dhe tani, në banesën e tij, dukej edhe më i mendueshëm.

Belinda e dinte shumë mirë, ashtu siç e dinin edhe të tjerët në kabinet, që ishte një ide e keqe ta ndillje në bisedë, kur ai kaplohej nga heshtja e mendueshme. Këtë tashmë e kishin mësuar edhe pikturat e pazëshme. Ndaj edhe studioja dukej më e heshtur se kurrë.

Qetësinë e vërenjtur e theu zilja e telefonit, kur i mbërriti me email materiali i përgatitur nga stafi i zv/kryeministres për impaktin historik të uljes së çmimit të energjisë. Nisi të lexonte bezdisshëm. “Eshtë hera e parë në 35 vjet….. Përfitojnë 1 milionë konsumatorë…. Nuk ka ndodhur asnjëherë…”

Por teksa sytë i lëviznin përciptazi mbi tekstin sqarues, shkarrazi i kapën edhe një fjali, që nuk duhet të ishte aty. “Efekti financiar i vendimit është 30 milionë euro..”.

U irritua menjëherë. Cili ishte ai idiot që kishte shkruar edhe këtë detaj. Por nuk kishte nerva të kërkonte llogari. I duhej heshtja rikrijuese për të qenë plotësisht në formë të nesërmen. Dhe nata në fakt kaloi shpejt. Mëngjesi historik zbardhi.

Me Belindën në krah nisi të përjetojë momentin historik përpara kamerave të mbledhura tufë. Përballë, ne qëndër, shquajti kamerën e Vjollcës dhe atë të Sandrit. Pak më tutje ishte kamera strategjike e Dulakut dhe ajo stratege e Devollit. Ndërsa në cep fare, i zuri syri Irfanin e bezdisshëm, por së fundmi të zbutur, ndërsa me tej akoma Syrin e keq.

U acarua menjëherë. Mendoi me vete, po sikur dikush nga këta të më pyesë se sa para do të fitojnë qytetarët e Shqipërisë nga ulja e çmimit të energjisë?

Më keq akoma, po sikur Syri i damkosur ose MCN-ja e flamur të bëjë llogaritë se 30 milionë eurot që po u ulen qytetarëve shqiptarë me çmimin e energjisë nuk janë as sa nja thërrime e 150 milionë eurove që u gllabëruan pa nam dhe nishan nga inceneratori i Tiranës. Ose ose që janë më pak se sa ato që vodhi banda bashkiake e 5D-së.

Dhe më e keqja ishte, po sikur dikush t’i bënte llogarinë në transmetim direkt se 30 milionë euro pjestim për 1 milionë konsumatorë janë 30 euro në vit për njeri. Ose 2.5 euro në muaj. Ose ose 8 cent të euros në ditë. Aq sa për të bërë gjysmë kilometri në trarët e pagesave që po mbillte kudo në rrugët e vendit.

Megjithatë u qetësua shpejt. Më parë i kishte thënë Fugës që të merrte masat për çdo gjë. Pyetje do kishte vetëm nga kamerat e qendrës dhe ato strategjike. Nga askush tjetër. Dhe mesazhi duhet të ishte i qartë;

Edi Rama bën histori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *