11 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Edvin Hoxhaj del nga Sigal, shet 3 për qind të aksioneve për 3.7 milionë euro

Anëtari i Bordit Drejtues të shoqërisë së sigurimeve Sigal, Edvin Hoxha ka shitur kuotat e tij tek austriakët e Uniqa Group. Sipas transaksionit të njoftuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Hoxhaj zotëronte 3.07 për qind të aksioneve të shoqërisë Sigal, të cilat i ka shitur për një çmim prej 3.7 milionë eurosh tek austriakët e Uniqa Group.

Tashmë struktura e re aksionare e shqërisë Sigal përbëhet nga dy aksionerë. Ata janë grupi austriak Uniqa, i cili zotëron 90 për qind të aksioneve dhe biznesmeni Avni Ponari, i cili zotëron 10 për qind të aksioneve.

Por edhe kjo strukturë është e përkohëshme. Grupi Uniqa ka njoftuar daljen nga Shqipëria. Përmes një njoftimi zyrtar për investitorët e saj, Uniqa njoftoi se do të shiste të gjitha aksionet që ajo zotëron tek shoqëria Sigal tek biznesmeni Avni Ponari.

Deri tani shifra e transaksionit nuk është bërë publike ende. Por një burim konfidencial i tha Kapitalit se bëhet fjalë për një transaksion në vlerën 60-70 milionë euro, çka do ta bënte shitjen e Sigalit, transaksionin e tretë më të madh privat të regjistruar në Shqipëri pas shitjes së aeroportit të Rinasit nga kinezët tek grupi Kastrati dhe minierës së Bulqizës nga Samir Mane tek grupi turk Yildirim.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *