Klodian Tomorri
Mendoni për një moment situatën, ku një kompani private kontrollon të gjithë sistemin e pagesave publike të një vendi. Pra nëse një qytetar merr një shërbim nga një institucion shtetëror duhet t’a kryejë pagesën përmes kompanisë private. Nëse kërkon një certifikatë pronësie në Kadastër duhet të kalojë po ashtu nga koncesionari privat.
Kjo është ajo që po bën qeveria. Pagesat e të gjitha shërbimeve që marrin sot qytetarët shqiptarë nga e-Albania do të jepen me koncesion monopol tek një kompani private. Por nuk mbaron këtu. Koncesioni i jep të drejtë kompanisë private, që të përfshijë edhe pagesën e taksave, tarifave dhe çdo detyrimi. Potencialisht të gjithë buxhetin e shtetit.
“Platforma duhet të ofrojë mundësinë e kryerjes së pagesave për të gjithë shërbimet publike, taksa, tarifa, detyrime, etj., ndaj të gjithë autoriteteve publike,” thuhet në studimin e fizibilitetit të koncesionit.
Për çdo pagesë që do të kryhet nga qytetarët apo bizneset në drejtim të shtetit, kompania koncesionare do të mbajë komision. Ky është një biznes gjigand. Shumë i madh.
Një koncesion monstruoz
Pak ditë më parë Kapitali.al publikoi lajmin se ministria e Financave ka nisur procedurën për dhënien me koncesion të infrastrukturës së çelësave publikë. (Lexo këtu dhe këtu).
Për shkak se i gjithë procesi po kryhet në mënyrë të fshehtë, portali kishte informacion të sigurtë se koncesioni do të përmbante certifikatën e fiskalizimit dhe nënshkrimin elektronik, një shërbim që llogaritet rreth 10 milionë euro në vit.
“Certifikata e fiskalizimit dhe nënshkrimi elektronik janë pjesa më e vogël e këtij koncesioni. Llokma më e madhe është monopoli i sistemit kombëtar të pagesave publike,” tha një burim i mirëinformuar për çështjen në kushtet e anonimatit.
Por sa i madh është koncesioni në vlerë?
“Limiti është qielli. Ky koncesion mund të shkojë 300, 400, 500 milionë euro në 10 vjet. Por edhe më shumë. Gjithçka varet nga numri i shërbimeve për të cilat qeveria do të bëjë me detyrim nënshkrimin apo vulosjen elektronike. Dhe kjo nuk ka kufij” tha burimi i mësipërm.
Përtej kësaj, vlera e koncesionit varet edhe nga komisioni që kompania koncesionare do të vendosë mbi pagesat, që qytetarët dhe biznesi bëjnë në favor të shtetit.
Studim paraprak fizibiliteti
Tani Kapitali.al zotëron dokumentacion më të gjerë, përfshirë studimin paraprak të fizibilitetit të koncesionit dhe ftesën për ofertë që ministria e Financave u ka dërguar 6 kompanive shqiptare.
Bëhet fjalë për kompanitë Fastech, Horizon, BNT Electronics, Image & Communications Development, Communications Progress dhe Soft & Solutions.
Kjo e fundit është kompania favorite për të shtënë në dorë koncesionin multimiliarder, që i bën të gjitha koncesionet e shëndetësisë bashkë të duken si biznese tezgash. Në ftesën e MF drejtuar 6 kompanive thuhet:
“Sa më sipër kërkojmë ofertën tuaj ekonomike për çmim /njësi në lekë (pa/me TVSH) sipas specifikimeve të pajisjeve/shërbimeve në fjalë. Informacionin e kërkuar të na e dërgoni brenda datës 27.09.2023.”
Kapitali.al iu drejtua zyrtarisht ministrisë së Financave për informacion, nëse kompanitë i kanë dorëzuar ofertat paraprake deri në datën 27 shtator, siç thuhet në ftesë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk arriti të marrë dot një përgjigje zyrtare.
Por këto janë detaje që tani kanë pak rëndësi. E sigurtë është se tashmë ka filluar të ngjizet zyrtarisht një koncesion monstruoz, në heshtje dhe larg syve të publikut.