29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Eksportet vijojnë pikiatën, por me ritme më të zbutura

Eksportet shqiptare ranë me 4 për qind gjatë muajit të kaluar duke vijuar tendencën negative të nisur që nga fillimi i vitit, ndonëse me ritme më të zbutura. Instituti i Statistikave raportoi se gjatë muajit Korrik kompanitë shqiptare eksportuan 37.8 miliardë lekë mallra në tregjet e jashtme, nga 39.4 miliardë lekë që ishte shifra Korrikun e vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, rënia e eksporteve është regjistruar thuajse në të gjitha grupet e mallrave, përveç grupit të ushqimeve dhe atij të mineraleve e lëndëve djegëse. Kurse në total si 7 mujor, eksportet e kompanive shqiptare këtë vit janë 20.4 miliardë lekë ose rreth 7 për qind më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rënia e eksporteve këtë vit është me bazë të gjerë, e ndikuar edhe nga forcimi i lekut ndaj euros dhe dollarit. Por efekti më i madh në rënien e eksporteve vjen nga grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve.

Çmimet e këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar ulje të ndjeshme, ndërkohë që edhe kërkesa është në frenim duke bërë që eksportet e këtij zëri të ulen me 20.5 miliardë lekë ose 30 për qind më pak se një vit më parë.  

Në krahun tjetër të shkëmbimeve tregtare, atë të importeve, panorama është thuajse e njëjtë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në për 7 mujorin importet në vlerë ishin 18.6 miliardë lekë ose 3.5 për qind më të ulëta se një vit më parë.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *