27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Emigrimi po detyron bizneset të rrisin rrogat me shpejtësi

Paga mesatare në sektorin privat u rrit me 15 për qind vitin e kaluar, teksa mungesa e fuqisë punëtore po shtrëngon me shpejtësi kushtet në tregun e punës. Sipas Institutit të Statistikave, në fund të vitit të kaluar paga mesatare bruto për të punësuarit në privat arriti në 62.2 mijë lekë në muaj nga 54.4 mijë lekë që ishte në fund të 2021-shit.

Ndërsa emigrimi masiv vazhdon të gërryejë fuqinë punëtorë të vendit, bizneset po detyrohen të joshin punonjësit me rroga më të larta për të plotësuar nevojat e tyre për krah pune. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në dy vitet e fundit, paga mesatare në sektorin privat është rritur me një ritëm dy herë më të lartë se sa ajo në shtet.

Në Shqipëri, paga mesatare zyrtare në sektorin privat ka qenë historikisht dukshëm më e ulët se sa ajo në shtet. Kjo si rezultat i një sërë arsyesh, përfshirë dhe informalitetin në tregun e punës, ku shumë biznese nëndeklarojnë pagat për punonjësit e tyre. Por vitet e fundit, hendeku po ngushtohet me shpejtësi.

Sipas INSTAT në fund të vitit të kaluar diferenca mes pagës mesatare në shtet dhe asaj në privat shënoi nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, ku një punonjës i administratës u pagua mesatarisht 12.2 mijë lekë në muaj më shumë se një punonjës në privat. Në fund të vitit 2021 diferenca mes rrogës mesatare në shtet dhe asaj në privat ishte 16.1 mijë lekë në muaj.

Kryesojnë ndërtimi dhe turizmi

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja e pagave në sektorin privat ka qenë me bazë të gjerë. Por ajo është udhëhequr kryesisht nga rritja e rrogave të ulëta duke sinjalizuar se tashmë tregu po ka mungesë edhe në segmentin e krahut të pakualifikuar të punës.

Sipas INSTAT, veëanërisht rritja e rrogave ka qenë e lartë në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe bujqësisë ku bizneset ankohen për mungesë të punëtorëve të krahut apo dhe profesioneve elementare si kamarierë, banakierë apo punonjës shërbimi.

Një pjesë e kërcimit të pagave në sektorin privat vjen edhe për shkak të rritjes së pagës minimale në mënyrë agresive gjatë dy vitëve të fundit. Megjithatë të dhënat tregojnë se edhe po të pastrohet nga efekti i rritjes së pagës minimale sërish bizneset duket se janë në një kurs të rritjes së shpejtë të rrogave. Ndërkohë qeveria ka lajmëruar se edhe ajo do të ndërmarrë një program agresiv të rritjes së rrogave në dy vitet në vijim, për ta ëuar pagën mesatare në sektorin shtetëror 900 euro në fund të vitit të ardhshëm. Një politikë kjo, që sipas përllogaritjeve paraprake do të ketë një kosto financiare prej rreth 340 milionë eurosh në vit për buxhetin e shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *