17 Mars, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Energjia “mban në këmbë” eksportet edhe për shkurtin, bien importet

Eksportet e energjisë në Kosovë kanë mbajtur në këmbë eksportet shqiptare edhe për shkurtin. Në anën tjetër, vijon rënia e eksporteve të mateleve dhe materialeve të ndërtimit, si edhe të tekstileve dhe këpucëve.

Referuar shifrave të INSTAT, në Shkurt 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke u rritur me 4,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,3 %, në krahasim me Janar 2025. Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 68 mld lekë, duke u ulur me 8,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 12 %, në krahasim me Janar 2025. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u ulur me 18,6 %, krahasuar me Shkurt 2024 dhe duke u rritur me 17,1%, në krahasim me Janar 2025.

Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 65 mld lekë, duke u rritur me 4,6 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 128 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 63 mld lekë, duke u ulur me 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Gjatë muajit Shkurt 2025, në rritjen e eksporteve prej 4,3 %, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +11,1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me – 6,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje etj.

Eksportet, gjatë këtij dymujori janë rritur me 4,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,7 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve: Gjatë muajit Shkurt 2025, në rënien e importeve prej 8,6 %, krahasuar me Shkurt 2024, negativisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -9,6 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,4 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre“ me -0,2 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +0,3 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +0,1 pikë përqindje.

Si dymujor, importet janë rritur me 4,7 %, krahasuar me dymujorin e parë 2024. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje, “Ushqim, pije duhan” me +0,7 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me -0,3 pikë përqindje.

ekofin.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *