Epam Systems, gjigandi amerikan i softwareve do të bëjë biznes në Shqipëri. Dy muaj më parë, kompania amerikane regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit degën Epam Systems Albania duke zbuluar në objektin e saj se do të hyjë në Parkun Teknologjik të Duranës, projekt i cili po zhvillohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve.
“Shoqëria do te jetë përdoruese e një parku teknologjik, siç rregullohet nga dispozitat e ligjit 58/2022 “Për krijimin,organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”,” thuhet në objektin e aktivitetit të kompanisë.
Epam bën pjesë në listën e 500 kompanive më të mëdha të SHBA-ve. E regjistruar në bursën e New Yorkut dhe e bazuar ne Newtown të Pensilvanisë, vitin e kaluar EPAM regjistroi 4.7 miliardë dollarë të ardhura dhe numëroi mbi 65 mijë punonjës. Kompania është një nga emrat më të njohura në SHBA, por edhe në rang global, në fushën e zhvillimit të softëareve dhe platformave dixhitale.
Parku teknologjik
Në fillim të këtij viti, Korporata e Investimeve Shqiptare shpalli procedurën për zhvillimin e parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”. Projekti që synon të shtrihet në një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë në Spitallë të Durrësit parashikon kryerjen e sërë veprimtarish në fushën e programimit, të sistemeve të komunikimit dhe sigurisë, kërkimit të programeve inovative dhe veprimtari të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit.
Por thirrja e parë dështoi për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Korporata e rishpalli thirrjen në fund të muajit maj, ndërkohë që nuk dihet se cili është rezultati i saj.
Megjithatë mbërritja e EPAM në Shqipëri tregon se kompani të mëdha botërore të fushës së teknologjisë së informacionit janë të interesuara për të zhvendosur një pjesë të aktivitetit të tyre këtu. Përmes ligjit për Parqet Teknologjike dhe Shkencore, Parlamenti ka miratuar një sërë lehtësish fiskale për kompanitë që afrohen në këtë sektor.
Sipas ligjit, ato kompani të cilat marrin statusin e përdoruesit në Parqet Teknologjike dhe Shkencore përjashtohen nga tatimi mbi fitimi për 15 vjet. Po ashtu punonjësit e tyre do të përjashtohen nga taksimi i pagës po për 15 vjet.
Vetë territori i parkut konsiderohet si zonë e lirë doganore dhe furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në Park, konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë zero, në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe legjislacionit doganor.
Konflikti në Ukrainë
Zhvendosja e EPAM në Shqipëri duket e lidhur edhe me zhvillimet gjeopolitike në Europën Lindore. Pas agresionit rus mbi Ukrainën, EPAM vendosi të zhvendosë një pjesë të biznesit që kishte në këtë rajon, në vendet e Ballkanit. Fillimisht ajo zhvendosi një pjesë të biznesit në Malin e Zi dhe tani me sa duket ka vendosur që të hyjë në tregun shqiptar.
Ardhja e kompanive të njohura ndërkombëtare të cilat kryejnë aktivitete në industritë me vlerë të lartë, përbën një lajm të mirë për ekonominë shqiptare. Këto kompani konsiderohen si vatra të rëndësishme dijesh duke nxitur zgjerimin e njohurive dhe përmirësimin e sistemit arsimor në vendet ku ato kryejnë aktivitet. Po kështu ato janë dhe një element frenues i largimit të trurit, veçanërisht për vendet si Shqipëria, që vuajnë masivisht nga ky fenomen.