30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Expo Albania”/ Konkurrimi për Qendrën e Panaireve mbërrin në fazën finale

Konkurrimi për projektin më të mirë të qendrës multifunksionale të Tiranës “Expo Albania” ka mbërritur në fazën finale, ku janë dy studio të famshme të arkitektëve amerikanë Steven Hall dhe Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio e mirënjohur italiane edhe në Shqipëri e Stefano Boerit.

Në nisje të konkurrimit, Kryeministri Rama përshëndeti të pranishmit, teksa theksoi se në rrugën e transformimit të vendit, kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.

Ky konkurs ndërkombëtar në këtë finale ka si qëllim përzgjedhjen e projektit, nuk do thoja më të mirë sepse jam i bindur që të gjitha projektet e këtyre studiove janë pa diskutim shumë të mira, por të projektit që juria do të shohë si më të përshtatshëm për t’u ndërtuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë më në fund një qendër të re që e kemi quajtur “EXPO Albania” ku do të kemi një infrastrukturë për organizime të posaçme që nga panairet tregtare tek ekspozitat e artit, tek eventet, konferencat, takimet e përmasave të ndryshme dhe patjetër edhe një destinacion për banorët e Tiranës, por edhe për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë, të cilët do të gjejnë arsye për të vizituar këtë hapësirë të re që po ndërtojmë.

Qendra pritet t’i ofrojë Tiranës një infrastrukturë moderne ekspozimi, deri më sot e munguar, duke i dhënë mundësinë kryeqytetit të jetë një lider në rajon edhe në aspektin e evenimenteve ndërkombëtare të industrisë, organizimit të panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar kështu një ofertë të re për Shqipërinë e vitit 2030.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *