Në bilancin e vitit 2021, të cilin e dorëzoi në Tatime dhe QKB në verën e vitit të kaluar, kompania koncesionare e markimit të karburanteve shkruan: “Kontrata e koncesionit ka një afat 10 vjeçar nga data efektive e saj, e cila përfundon në 27 shkurt 2023.”
Pra, sipas vetë kompanisë GFI, koncesioni i markimit të karburanteve ka përfunduar në datën 27 shkurt të këtij viti. Por ka një problem. Qytetarët shqiptarë po vazhdojnë ta paguajnë taksën edhe tani, 4 muaj pas datës 27 shkurt.
Sipas bilancit zyrtar, koncesioni i markimit të karburanteve arkëton mesatarisht 400 mijë euro në muaj nga tarifa. Për 4 muaj, shuma është 1.6 milionë euro. A iu vodhën qytetarëve këto para në mënyrë të paligjshme? Sipas asaj që deklaron kompania në bilanc, përgjigja është po.
Kaos dhe heshtje
Në kontratën koncesionare të markimit thuhet se afati i saj është 10 vjeçar dhe hyn në fuqi nga data efektive. Në nenin 4 të kontratës përcaktohet se data efektive do të konsiderohet pasi të jenë përmbushur 3 kushte:
1-Nënshkrimi i marrëveshjes
2-Krijimi i shoqërisë koncesionare
3-Miratimi dhe hyrja në fuqi e VKM-së që miraton kontratën koncesionare
Koncesioni i markimit u nënshkrua në 27 shkurt 2013. Shoqëria koncesionare u krijua dhe regjistrua në QKB në 5 prill 2013. Vendimi i qeverisë për miratimin e kontratës u miratua në 30 maj 2013 dhe hyri në fuqi në ditën e botimit në fletoren zyrtare, që është data 1 korrik 2013. Pra sipas kontratës 3 kushtet e datës efektive janë plotësuar në në 1 korrik 2013 dhe afati i përfundimit duhet të ishte në 30 qershor 2023.
Por edhe këtu ka një dyshim. Markimi i parë është bërë në datën 5 qershor 2013 dhe sipas këtij varianti koncesioni ka përfunduar në 4 qershor 2023. Një kompani koncesionare nuk mund të kryejë shërbim dhe të arkëtojë para në terren pa hyrë në fuqi data efektive e koncesionit.
Një burim në nivel drejtues pranë Doganës i tha Oligarkia.al se ligjërisht koncesioni ka përfunduar. Por dogana nuk mund të ndërhyjë dot për të shfuqizuar tarifën e markimit, pa një urdhër nga Ministria e Financave. Ministria nuk ndihet.
Paligjshmëri dhe mungesë transparence
Aktualisht ka 3 variante për përfundimin e markimit. I pari, ai që thotë vetë kompania në bilancin e saj se koncesioni ka mbaruar në 27 shkurt 2023. I dyti është që të ketë përfunduar në 5 qershor 2023. Ndërsa varianti i tretë, që është data më maksimale e mundshme, është 30 qershor 2023.
Edhe sikur të ishte data më maksimale e mundshme, pra 30 qershor 2023, kompania dhe qeveria duhet të kishin bërë me kohë veprimet për dorëzimin e koncesionit.
Në nenin 20, kontrata e koncesionit thotë se: “Përgatitja e procesit të dorëzimit do të fillohet të paktën 12 muaj përpara datës së mbarimit të Kohëzgjatjes së Koncesionit, me një inspektim të përbashkët të Autoritetit Kontraktues dhe Konçesionarit.”
Pra që në qershor të vitit të kaluar, Ministria e Financave dhe kompania koncesionare duhet të kishin nisur procedurën për transferimin e aseteve të koncesionit nga kompania në shtet. Por gjithçka është e mbuluar nga një vello errësire sepse si ministria e financave ashtu dhe qeveria heshtin.
Zgjatje okulte
Në çdo rast sot kontrata është në paligjshmëri sepse askujt në zyrat e shtetit nuk i ka shkuar në mend të mbrojë interesin publik dhe të saktësojë datën e përfundimit të koncesionit. Aq më pak të nisë procedurat për përfundimin e tij.
Me shumë gjasa, brenda dy javëve të ardhshme, në qeveri do të kalojë vendimi që markimin do ta zgjasë edhe më 10 vite të tjera. Por sot nuk e di askush se kush e ka shkruar apo e po e shkruan atë vendim.
Qytetarët da ta marrin vesh si suprizë, që qeveria u ka ngulur dhe për 10 vite të tjera haraçin e një koncesioni, që vetë Edi Rama dikur e quante monument të korrupsionit të Sali Berishës, por sot po e zgjat si biznes të miqve të tij.