Një bashkim mes kompanive Soft & Solution dhe Fastech është shpallur fitues i tenderit 4.5 milionë euro për përmirësimin e sistemit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Gara për sistemin e Kadastrës me fond limit 482.9 milionë lekë u shpall nga AKSHI në fund të qershorit. Në procedurën e prokurimit u paraqitën 3 oferta. Ato ishin Kreatx me 362.8 milionë lekë, Soft & Solution dhe Fastech me 449.2 milionë lekë dhe Horizon me 468.5 milionë lekë. AKSHI ka shpallur fituese të tenderit bashkimin mes Soft & Solution dhe Fastech, edhe pse oferta e tyre ishte 800 mijë euro më e shtrenjtë se ajo e Kreatx.
Megjithatë kjo është vetëm shpallja paraprake e fituesit. Kontrata nënshkruhet pasi të jenë kaluar të gjitha fazat e ankimimeve të mundshme, përfshirë ato në Komisionin e Prokurimit Publik. Nuk dihet akoma nëse shpallja e fituesit në këtë tender do të ankimohet. Soft & Solution është një nga kompanitë më të mëdha kontraktore të AKSHI-t, e cila ka marrë një sërë tenderash të majmë në fushën e IT-së.
Përplasje me BE
Tenderi për përmirësimin e sistemit të Kadastrës, ka shkaktuar përplasje mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian. Në shtator të vitit të kaluar, Bashkimi Europian përmbylli një tender 1.85 milionë euro për ngritjen e sistemit të integruar të informacioni kadastral dhe të tokës në Shqipëri (referuar si ACLIS).
Kontrata, e cila ishte pjesë e një program për ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizimit total të pronave, u fitua nga një bashkim prej dy kompanish, sllovenja Synergise dhe shqiptarja Datech.
Por sapo kompanitë do të nisnin punën, qeveria shqiptare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftuan Bashkimin Europian për bllokimin e tenderit.
“Autoritetet shqiptare njoftuan BE-në për zhvillimin e mëtejshëm paralelisht të sistemit ekzistues të IT-së dhe nisën një tender të ri për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij. Si rezultat, aktivitetet në kuadër të projektit/kontratës ACLIS janë ndalur derisa të arrihet një zgjidhjeje përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe BE-së,” konfirmoi zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë për Oligarkia.al pak ditë më parë.
Fastech është një kompani shqiptare IT-je, e cila më parë është përfshirë në skandalin e kamerave të mbikqyrjes për burgun Lezhë dhe Fushë Krujë.