29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Fico: Reduktim i TVSH-së dhe rritje e buxhetit për bujqësinë si mbrojtja

-Z. Fico, ju keni publikuar një shkrim mjaft interesant ku theksoni nevojën për të reduktuar TVSH-në për ushqimet, për të forcuar bujqësinë shqiptare. Madje e nisni duke bërë një krahasim me buxhetin e rritur për mbrojtjen. Përpara se të diskutojmë më në detaje, dua ta nis pikërisht nga kjo e para. A mund të garantojmë siguri në kohë luftë, kur vendi sot importon pjesën më të madhe të ushqimit?

Potencialet janë që po. Rusia, pjesë e ish Bashkimit Sovjetik dikur ishte një shaka në botë sepse asnjëherë nuk e siguronte dot ushqimin me bujqësinë e kolkozeve, duke u justifikuar përherë me motin e keq, e sot është ndër eksportuesit më të mëdhenj të ushqimeve në botë. Po ashtu Ukraina, e cila dhe pse është në luftë vazhdon të eksportojë, madje me çmime të lira aq sa ka shkaktuar tensione në mes prodhuesve të EU.  Ekonomia e tregut, qoftë edhe për aq sa zbatohet në Rusi, njohuritë bashkëkohore, investimet në teknologji, farat cilësore e inputet e tjera, e kanë ndryshuar sektorin. Edhe ne si vend dikur ish kooperativist me probleme të mëdha në sigurimin e ushqimit sot prodhojmë shumë më tepër se dikur, madje nqs shifrat e Instat, të dhëna nga Ministritë e Bujqësisë janë afër realitetit, pothuaj e sigurojmë gjithë prodhimin në vend. Importet e larta të bëjnë të dyshosh sdq në shifrat që jepen për prodhimin vendas, e një fakt tjetër është se sipërfaqja arë si pasojë e ndërtimeve banesa formale e informale, si dhe të infrastrukturës, si rrugë, ndërtesa industriale e sherbimesh, etj. është zvogëluar jo pak. Në një skenar hipotetik, por me shumë pak gjasa, kur vendi mund të varet vetëm nga prodhimi vendas i ushqimit, besoj 90 % ose dhe më shumë të nevojave plotësohen, duke konsideruar që tregtia e inputeve nuk ndërpritet. Nqs ndërpritet edhe ajo, janë skenare ekstremë që vetëm vende të mëdha mund t’i përballojnë.

-Le të kalojmë konkretisht tek problemi. TVSH-ja është një taksë që zakonisht faturohet tek konsumatori (blerësi). Sot kjo taksë 20% për klientin fundor, si ndikon tek fermeri, që është edhe prodhuesi?

Biznesi TVSH-në e mbledh dhe shkarkon gjatë zinxhirit deri sa produkti mbërrin tek konsumatori final. Fermeri nuk ka ku e shkarkon, por e përfshin atë në çmim, ose do t’a zbresë nga fitimi i tij, që të japë një çmim më të ulët.  Kur ngarkohet në çmim, që fermeri  të vazhdojë të prodhojë e mos dalë me humbje, ajo do t’i faturohet konsumatorit i cili do të paguajë në varësi të shpenzimeve me TVSH të kryera nga fermeri, e kalimeve deri sa produkti mbërrin tek ai/ajo, rreth, apo dhe më shumë se 5 – 10% të çmimit final, se sa nqs prodhimi do të ishte nga një subjekt me TVSH. Një rast më konkret, psh. marrim naftën me çmim tabele 200 Lek, biznesi e blen atë me 160 Lek, plus 40 lek Tvsh. Kur e faturon mallin si shitës, e nafta bëhet pjesë e kostos/çmimit sepse është përdorur në prodhim, do t’a faturojë atë po me vlerën 160 lek. TVSH -në 40 Lek të naftës e paguan konsumatori fundor.  Një fermer e blen naftën me çmim 200 Lek, e jo 160 sepse nuk është subjekt i TVSH-së. Kur t’a shesë mallin ku ka përdorur naftë vlera e saj në kosto do të jetë 200 Lek. E kur shitja e atij malli është me TVSH do të jetë 200 plus 20%, ose 240 Lek. Malli është më i shtrenjte dhe konsumatori final e paguan dy herë Tvsh, kur u ble nafta nga fermeri, e kur ajo u përfshi në produktin që shitet me TVSH. Konkretisht 40 Lek nga fermeri, plus 40 Lek nga konsumatori, totali 80 Lek në vend të 40 Lek vetëm nga konsumatori, kur subjekti është me TVSH. Krijojnë vlerë TVSH-je për fermerin të gjitha inputet, veglat, makineritë, energjia elektrike, shërbimet, etj.  Te gjitha këto si vlera TVSH-je do t’i faturohen konsumatorit dy herë sepse bëhen pjesë e çmimit. Që prodhuesi të mbijetojë duhet të bëjë sa më shumë blerje informale me para në dorë pa TVSH, të shesë direkt po me para në dorë pa TVSH, e kur këto bëhen të pamundura duhet që prodhuesi të futet në skemë. 

-Pse pikerisht tani duhet fermeret duhet të shkojnë drejt TVSH kur ka patur gjithë ato skema të mëparshme pa rezultate, dhe pse reduktim te TVSH të ushqimit ? Kur ka nisur të theksohet kjo problematike?

Tvsh në prodhimin bujqësor

Ekonomia bujqësore shqiptare prej kohësh po ndjek bujqësinë Europiane me përdorim gjithmonë e më të lartë të inputeve, kapitalit, teknologjisë dhe zvogëlim të rolit të punës.  Vitet e fundit fuqia punëtore në bujqesi, e cila ishte e lirë dhe e bollshme, është shtrenjtuar shumë si pjesë e kostos së prodhimit, madje shpesh për pagat që ofrohen nuk gjendet. Këto i shtyjnë fermerët të përdorin edhe me shumë inpute, energji, si naftë, atë elektrike, e makineri, teknologji. Shitja e prodhimit shumë vite më parë ishte shitje pothuaj direkte pa përfshirë TVSH-në, një pjesë jo e vogël e saj direkt në popullësinë lokale të zonave rurale. Kjo e fundit është reduktuar si numër, por edhe i gjen produktet e importit më të lira se ato që prodhojnë vetë. Jo domosdoshmërisht të njëjtat, po mallra zëvendësues më të lirë.  Në këtë realitet të sotëm fermeri duhet të përdorë shumë më shumë inpute në prodhim që e përfshjnë TVSH-në, e duhet të shesë në subjekte të cilat punojnë me TVSH. Ky realitet i ndryshuar kërkon dhe ndryshim në mënyrën si konceptohet e realizohet prodhimi, veçanërisht për sa i takon influencuesit më të madh të tij, taksat. Prodhuesit duhet të jenë në të njëjtin nivel taksimi me përpunesit, shitësit, e në fund blerësit.

TVSH-ja e reduktuar e ushqimeve për konsumatorët

Problemi i TVSH-së në ushqime ka qënë gjithmonë i diskutuar. Të ardhurat nga taksat që mbledhin qeveritë shqiptare janë të varura për një pjesë të madhe nga TVSH-ja e ushqimeve, qeveritë kanë krijuar një varësi të fortë nga ajo. Një fakt, importi ushqimor është në rreth 1 miliard e gjysëm euro, po të zbresim ato me rregjim përpunimi e të mbetemi minimalisht në rreth 1 miliard Euro, do të thotë rreth 200 milion Euro TVSH prej ushqimeve të mbledhura direkt në doganë. Duhet shtuar edhe prodhimi vendas që shitet me TVSH në dyqane, qumështi, djathi, mishi, perimet, shuma mund të dyfishohet a trefishohet sepse kemi dhe kalimin tregtar.  Eshtë e lehtë të flasësh se duhet  të ikësh nga varësia e çdo lloji, por është shumë më e vështirë, në mos e pamundur t’ia dalësh, prandaj të gjithë e propozojnë dhe askush nuk e bën. Por, është e domosdoshme, varësia do të thellohet edhe më shumë e efektet zinxhir do të arrijnë në një pikë ku as kura, e as terapitë tipit shok të mëvonshme nuk do të japin më efekt. E diskutueshme është nqs ky efekt shok, jo terapi por si goditje e akumuluar po ndodh edhe tani. Kriza prej luftës në Ukrainë, shumëfishimi i çmimit të inputeve bujqësore, rritja e çmimit të energjisë, karburanteve, rritja e kostos së fuqisë punëtore, ndryshimet klimatike, të detyrojnë të rishikosh patjetër politikat. Kemi një krizë të kostove të jetesës, përfshirë këtu dhe shpenzime të qënësishme si qeratë, këstet e kredive, të gjitha çmimet janë të rritura, fuqia blerëse është në nivelet më të ulëta. Kursimi është në nivelet më të ulëta. Qeveria duhet të lejojë dhe të nxisë kursimin e investimin privat dhe jo vetëm të sajin, i cili për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk është më i mirë menduari, e zbatuari. Në të shumtën e rasteve është vetëm transfertë e parave publike, herë si “lëmoshë”,  e më shumë si favore për biznese të caktuara. Kursimin privat do t’a shohim edhe pak më poshtë.

-Sot, kur shumë produkte bujqësore dhe blegtorale na konkurrojnë direkt me çmim nga importi, a është e gjitha pasojë e zinxhirit tonë të TVSH-së apo ka dhe faktorë të tjerë?

TVSH në prodhim është e para, sepse bën të mundur çmimin real, që do të thotë më të ulur, e jo ku tatimi paguhet dy herë.  Serrat në Shqiperi “konkurojnë” me serrat në Spanjë, Hollandë, jo sepse janë më efektive, apo se pranvera vjen më shpejt tek ne, por sepse tregu kërkon sasi prodhimi i cili nuk plotësohet i gjithi nga prodhuesit më efektive. Të përballosh konkurencën do të thotë të kryesh investime, të rritësh kapitalin njerëzor, njohuritë. Do të thote të njohësh tregun, psh është një rastësi që një vend pa fusha sporti e masivitet sportistësh arrin të shkojë në Europian, apo pse një serë dy dynymëshe konkuron me një serë të menaxhuar me Inteligjencë artificiale në Hollandë, sa do të vazhdojnë këto rastësi e me çfarë kosto?  Ajo që është e rëndësishme është të kuptohet që ne jemi “price-taker”, do të thotë që çmimi që ne marrim në treg është i vendosur nga të tjerë, ne (prodhuesit) nuk kemi zë për këtë. Ecuria e çmimit të vajit të ullirit tregoi se çmimi i tij edhe në Shqipëri, varet nga çmimet e tij në Greqi e Itali. Kur e dimë këtë, fillojme e veprojmë të gjejmë tregje ku çmimin e vendosim ne, ose të marrim çmimin maksimal të mundshëm kur atë e vendosin të tjerët. Faktorë të tjerë janë infrastruktura fizike, si ujitja, rrugët, transporti, infrastruktura financiare, rrjetet tregtare e mënyrat e tjera të tregtimit. Të gjitha kerkojnë shtjellime, por nuk është momenti ketu.      

-Ju keni marrë në krahasim shumë vende europiane që shpeshherë aplikojnë edhe TVSH 0% për ushqimet. Pse është ndërmarrë ky hap në këto vende dhe kujt i ka vlejtur?

Ushqimi është një e drejtë njerezore, e ka efektet e një të mire publike. Sa më mirë të ushqyer të jemi aq me pak ilaçe në gjuhën popullore, dmth më pak shpenzime për shëndetësinë, por aq më shumë rendiment në punë, e përkthyer paga më të larta, e fitime më të mëdha për biznesin, aq më shumë cilësi jetese.  Ushqimi nga vetë natyra i të qënit produkt i ekonomisë bujqësore është i shtrenjte apriori, taksat e shtrenjtojnë edhe më shumë. Pikërisht për këto arsye janë politikat Europiane për të siguruar ushqim në sasi dhe me standarte të larta, duke mbështetur prodhimin bujqësor dhe ulur çmimin edhe më tej, duke hequr taksat, për konsumatorët fundorë.  Kjo lidhet më tej me kursimin. Në ekonomi kursimi është investim. Investimet  private bëhen në industri, shërbime, teknologji, edukim etj. të cilat kanë norma fitimi shumë më të larta se sa bujqësia. Bujqësinë me investime,  mbështetje, e planifikimi e kryen si rol “qeveria”, me fondet publike për shkak të shkallës së lartë që duhet e normës së fitimit të ulët. Nuk po futemi tek natyra, mjedise e të tjera, ku jemi me humbje. Këto para ajo i siguron duke taksuar aktivitetet e tjera më fitim prurëse, të cilat ekzistojnë e rriten edhe si pasojë e kursimeve në ushqim. Nqs këtë 20 % të mbledhur nga qeveria në vendin tonë si shpenzim të privatëve, ata e kursejnë, do të thotë teorikisht se është i investuar. Gjithë ekonomia rritet. Paratë që kursen nga ushqimi si privat, i investon në nivel individual, nqs niveli makro është me pak i kuptueshëm, për arsim, për mirëqënie, për shtëpi, për aksione, për pension (edhe ky kursim), etj.

-Rekomandimet e FMN kanë qenë gjithmonë për heqjen e përjashtimeve fiskale. TVSH-ja në ushqim do të konsiderohej një i tillë. A mund të arrihet i njëjti efekt duke rritur subvencionet në bujqësi?

Përjashtime fiskale ka shumë madje duhet thënë se norma janë përjashtimet, e jo mos përjashtimi. Kjo është normale, e duhet të evoluojë në kohë, psh nuk mund të kemi përjashtim fiskal për dru zjarri për ngrohje, e të taksojmë panelet diellore për prodhim energjie. TVSH-ja e reduktuar në ushqim nuk besoj se konsiderohet një përjashtim fiskal. TVSH-në e ushqimit, EU e njeh të reduktuar në rreth 5 % ose dhe më pak.  Nuk mund të kesh prodhim pa TVSH e pastaj shitje e përpunim me TVSH.  Çmimi më i lartë që paguajnë fermerët dhe konsumatorët do të thotë që ata nuk kursejnë, do të thote se nuk investojnë. E FMN pikërisht këtë thotë gjithmonë, se duhet investuar me çdo kusht.  Nga ana tjetër a e investon qeveria ato që mbledh si taksë? Qeveritë konsiderohen përgjithësisht si përdoruesit më të keq të mundshëm të parave. Nqs shikojmë subvencionet në bujqësi ato jane transferta për të mbuluar humbjet e fermerëve, e jo investime, thjesht janë para të shpenzuara jo mirë. Subvencionet e shtrembërojnë tregun, e krijojnë varësi. Nga subvencionet përfitojnë përgjithësisht të medhenjtë. Një blegtor me 2 mije dele me subvencionin që merr mund të kryejë ndoshta edhe ndonjë investim privat, ndërsa 20 blegtorë me 100 dele janë në mbijetesë e nuk arrijnë të investojnë. Në 4 mijë krerë gjysma mbetet ashtu siç ishte, por edhe më keq, sepse konkurohen tani “padrejtësisht” nga blegtori i madh, i cili ka investuar me para publike, e merita e vetme e të cilit ishte se kishte më shumë krerë. Si shoqëri ne do te humbim 20 blegtore, e do të mbetemi me gjysmën e krereve. Çmimet do të rriten, importi do të rritet, papunësia do të rritet, ndërsa ne menduam së bëmë një gjë të mirë që dhamë subvencione. Ndërsa një investim publik, jo subvencion, që i përfshin të gjithë si psh sigurimi i ujit për blegtorinë, efektet do t’i kete pozitive për të gjithë, e i jep shanse edhe blegtorëve të vegjël, të punojnë e të gjejne tregun apo niche të tyre, e mos kërkojnë të emigrojnë.

-Ju theksoni vazhdimisht që nevojiten politika për rritjen e produktivitetit. Ne aktualisht kemi në fuqi skemën kombëtare dhe presim riaktivizimin e programit IPARD. A janë të mjaftueshme në gjykimin tuaj?

Si më sipër duhen masa, investime, ndërhyrje horizontale që ndikojnë tek të gjithë.  Një masë e skemës kombëtare është bletaria, jepen subvencione për koshere, ndërkohë që çmimi në shitje i mjaltit është mjaft i lartë, e nuk ka nevojë për subvencione. Problemi është se bletët nuk ushqehen me Lek letër. Mungojnë pyjet, kullotat për bletë, konkurenca është shumë e larte midis bletarëve, për ato pak pyje që kanë mbetur, si dhe me insektet e tjerë polenizues. Bleta bën vetëm nje pjesë të polenizimit, pjesa tjetër bëhet nga insektet e tjerë të cilët do të zhduken kur ju mungon ushqimi të cilët e marrin bletët që stimulohen në numër. Programi IPARD në këtë sens, mqs kryesisht ka investuar në përpunim, duke mbetur tek bletet, a i shton pyjet, natyrën, atë hapësirë ku bletët kanë mundësi të rriten apo ka ofruar vetëm një linje moderne përpunimi mjalti e cila mund të ndihmojë po vetëm një prodhues të veçantë (rasti është hipotetik). Ndërkohë hapësira e mbijetesës së bletëve në vend sa vjen e zvogëlohet. Më shumë subvencione do të kërkohen, më shumë hartime se pa bletë, nuk ka bujqësi do të bëhen, sasia e prodhuar do të zvogëlohet, po linja e përpunimit është moderne. Mjalti artificial nga Kina vjen me shijen që e kërkon, bashkë me garancinë që pothuaj çdo analizë që do të bëhet nga shteti nuk e dallon a është mjaltë fabrike apo natyral. Si tek pyetja më parë, skemat kombëtare janë kryesisht transferta për të mbuluar humbjet e fermerëve, e jo investime, do të thotë se nuk e rrisin produktivitetin.  Në këtë hulli bie shumë herë edhe Programi IPARD, sepse jemi ne të cilët duhet t’a disenjojmë e t’a zbatojme. Nuk është rastësi që u gjetën problematika të shumta me zbatimin e IPARD edhe sepse kontrollet duhet të kryhen së pari nga ne, e pastaj nga Europa. Një realitet me qindra mijë fermerë të vegjël, përpunues e shites që përballen me një konkurencë të fortë nga importi është një realitet të cilin burokratet e Brukselit nuk e njohin aq mirë, dhe nuk është se kanë dhe aq shumë dëshire t’a njohin. Në pararoje të mos dëshires, sdq qëndrojnë burokratët shqiptarë kur fondet Europiane të bujqësise i kaluan për shtëpi pushimi në plazh apo të ngjashme si kjo, siç thuhet në media .    

-Në fund dua t’ju marr një koment edhe mbi një ndryshim thelbësor që qeveria ka ndërmarrë në prioritizimin e Bashkimeve të Fermerëve (Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor). A mund të rezultojë efikase në modelin shqiptar të bujqësisë?

Bashkimi këtu përsëri duhet të shërbejë për të krijuar biznese bujqësore me TVSH, në mënyrë që grupi i fermereve të mundet të shkarkojë minimalisht kostot e TVSH-së. Për më shumë të blejnë inputet me çmime shumice, të kenë të njëjtat standarte prodhimi, të shesin me të njëtin çmim, e të kenë fuqi negociuse më të lartë. Bashkëpunimi ka gjithmonë një kosto të shtuar, e për këtë duhen lehtësira të tjera fiskale. Bashkëpunimi varet nga historia, mentaliteti, e në Shqipëri kjo nuk e ndihmon, sidomos ato/a të cilët mund të luajne një rol drejtues e organizues të grupimit. Katalizator të grupimeve janë vetëm politika të mirëfillta lehtësuese fiskale, për te cilat siç thoni ju më siper duhet të biem dakort me FMN, që t’a lejojë si përjashtim. Mbase do të duhet të aprovohet më parë nga një grup pune në zyrat e FMN në Uashington që një dyzinë fermerë të Çermës të bëhen edhe ata grup pune.   

Adi Darsi/ SCAN TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *