Gjysma e parë e vitit ishte një periudhë e mbarë për bankat shqiptare duke konfirmuar tendencën pozitive të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga shoqata e bankave tregojnë se nga 11 banka që bëjnë aktualisht biznes në Shqipëri, 10 prej tyre regjistruan fitim, ndërsa vetëm njëra e ka mbyllur bilancin me rezultat lehtësisht negativ.
Sipas statistikave, për janar qershor të këtij viti, bankat shqiptare regjistruan në total 14.4 miliardë lekë ose ose rreth 140 milionë euro fitim neto. Por cilat ishin bankat që kryesuan listën e fitimeve?
Në vend të parë, rezulton Raiffeisen. Banka me origjinë kapitali nga Austria fitoi 3.81 miliardë lekë neto në gjysmën e parë të vitit duke baracuar kështu fitimin e gjithë vitit të kaluar.
Pas Raiffeisen, në vendin e dytë renditet Banka Kombëtare Tregtare. BKT realizoi një fitim neto prej 3.56 miliardë lekësh në periudhën janar-qershor të këtij viti. Por viti më i mirë i bankës me kapital turk në terma të përfitueshmërisë mbetet 2022-shi, ku ajo regjistroi një fitim neto prej 9.4 miliardë lekësh ose 90 milionë euro.
Vendi tjetër në podin e bankave me fitimet më të larta në gjysmën e parë të këtij viti i përket hungarezëve të OTP. Banka e cila po zgjerohet në mënyrë agresive në tregun shqiptar shënoi një fitim neto në masën 2.1 miliardë lekësh në gjysmën e parë të vitit, e ndjekur nga Intesa San Paolo, Tirana Bank dhe Credins.