21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Firmat që “përmbytën” Durrësin, fitojnë tenderin 8.4 mln euro për kanalet e plazhit në Spille

Dy firmat që “përmbytën” Durrësin në fund të muajit janar 2025, kanë fituar një tjetër procedurë të majme nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve. Firma “Adriatik” dhe “2T”, të cilat morën nga Bashkia e Durrësit plot 20 milionë euro për të ndërtuar kanalet dhe hidrovorin, janë bashkuar sërish bashkë, ku kësaj herë kanë arritur që të fusin në xhep plot 8.4 milionë euro.

Duket se, çudia më e madhe 3 ditë zgjat në Shqipëri, pasi asnjë institucion nuk denjoi të paktën të hapte letrat e projektit në Durrës, projekt i cili ka dështuar. Dhe tashmë, disa javë më vonë, të njëjta kompani me lidhje të forta me mazhorancën aktuale, kanë arritur që të fitojnë sërish para publike. Por, ajo që bie më shumë në sy është se kjo BOE do të bëjë kanalet e ujërave të zeza në zonën e plazhit në Spille?

Tani, duke parë edhe historinë, me të drejtë lindin shumë pyetje: A do të përsëritet historia? Kur projekti i Durrësit u vonua 2 vjet, a mban ndokush përgjegjësi? Duket se, në këtë vendin tonë, skandali kap skandalin, ku gjithkush tenton që të gllabërojë paratë publike, në forma nga më të ndryshmet.

 

Firmat që “përmbytën” Durrësin, fitojnë

Faksimile: Njoftimi i AKUK për shpalljen e fituesit të tenderit për rrjetin e kanaleve të ujërave të zeza në plazhin e Spillesë

Firmat që “përmbytën” Durrësin, fitojnëFirmat që “përmbytën” Durrësin, fitojnë

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “sistem i ri KUZ + ITUP në zonën turistike të Spillesë” me një afat kohor për ekzekutimin 24 muaj.

Fondi limit ishte 885 milionë lekë, teksa pati dy oferta. E para nga BOE “ADRIATIK” dhe “2 T”, të cilat ofruan 839 milionë lekë. Këto firma kanë edhe një shoqëri italiane mbështetëse. Oferta e dytë ishte e kompanisë “FUSHA”, e cila kishte një ofertë prej 882 milionë lekë.

Oferta e firmës “Fusha” u skualifikua dhe mori 0 pikë. Sipas AKUK-ut, oferta nuk parashikonte TVSH-në për makineritë dhe pajisjet. Gjithashtu s’kishte një ekspert zjarrfikës dhe disa mangësi të tjera.

Rrjedhimisht, fitues firma “Adriatik” shpk, e cila është në pronësi të z. Petrit Kovaçi dhe z. Ardian Mustafaraj, ku secili ka nga 50 % të aksioneve. Z. Kovaçi është babai i ish-drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, Spartak Kovaçit. Kjo firmë do të bashkëpunojë sërish me “2 T”, firmë e cila është në pronësi të z. Artan Sako dhe z. Dritan Troksit, ku secili ka nga 50 % të aksioneve. Z. Artan Sako është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës Gramoz Sako.

Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim me titull “Afera 20 milionë euro e dy Sakove, Kovaçit dhe ‘Vëllezërve Hysa’”. “Një aferë e madhe, gati 20 milionë euro, dyshohet se ka shkaktuar përmbytjen masive në Durrës, ku qindra shtëpi u dëmtuan në fund të janarit. Megjithëse zyrtarët shtetërore ia kanë hedhur fajin ‘natyrës’ për shirat e rrëmbyeshëm dhe ‘papërgjegjshmërisë’ së banorëve që kanë mbushur kanalet me mbetje, faktet janë komplet të tjera”, shkruante redaksia.

VoxNews hulumtoi dokumente, ku rezultoi se në vitin 2021 u bë një super tender për kanalet e mëdha të kulimit, të ujërave të shiut, që do të bënin pikërisht këtë; Zona e ish-Kënetës dhe Spitallës të mos përmbyteshin. Por, këto para duket se janë shpërdoruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

U ndërtua një Hidrovor i ri shumë larg atij të vjetrit, por kanaqet që çojnë ujin në atë vepër janë më të gjatë dhe s’janë aspak funksionale. Për të mos përmendur edhe cilësinë e ndërtimit të këtij Hidrovori, i cili duket se ditët e përmbytjeve s’ka qenë në punë. Aktualisht e gjithë vepra është në fazë testimi, por ajo që shihet se “testimi po bëhet në kurriz të qytetarëve”.

Tenderi ishte bërë nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirana Sako, e cila ia besoi veprën tre firmave. E para është firma “Adriatik” shpk, e cila është në pronësi të z. Petrit Kovaçi dhe z. Ardian Mustafaraj. E dyta “Vëllezërit Hysa”, pronarët e së cilës janë hetuar dhe ndaluar për abuzime. Dhe e treta “2 T”, ku një pronar është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës Gramoz Sako.

Këto firma duhet ta kishin përfunduar të gjithë veprën në fund të vitit 2022, por u vonuan më shumë se 2 vite dhe askush s’u kërkoi llogari. As kryetarja e Bashkisë së Durrësit, as ndonjë organ tjetër.

Voxnews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *