Autoriteti Portual i Durrësit do të paguajë 12 millionë euro më TVSH tek kompania hollandeze Royal Haskoning për shërbimin e konsulencës dhe mbikqyrjes për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Kapitali konfirmoi përmes dy burimeve të pavurara se kontrata është firmosur javën e shkuar, nga Pirro Vengu dhe përfaqësuesit e kompanisë hollandeze, pas negociatave të mbyllura në tavolinë.
Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare prokuron një kontratë kaq të majme mbikqyrjeje me negociata të drejtëpërdrejta. Për këtë arsye, në fillim të këtij viti maxhoranca ndryshoi Ligjin e Prokurimeve, sipas një skenari që ngre dyshime të forta për kapje shteti. Ndryshimi i ligjit në kundërshtim të qartë me direktivën e Bashkimit Europian për Prokurimet Publike, i dha të drejtën qeverisë që të prokurojë kontrata konsulence me negocim të drejtëpërdrejtë për një periudhë tre vjeçare.
Deri tani qeveria ka autorizuar nënshkrimin e tre kontratave të këtij lloji, prej të cilave dy do të firmosen nga ministria e drejtësisë me kompanitë Bostonm Consulting Group dhe G37 Chambers dhe e treta është kjo e Autoritetit Portual të Durrësit.
Hije antiligjore
Në ditët e fundit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave depozitoi një draft në Parlament për të ndryshuar Ligjin e Prokurimeve. Projektligji, i cili përmbante 50 nene ndryshonte ndjeshëm ligjin ekzistues të Prokurimeve. Por mes ndryshimeve të propozuara u fut edhe një nen hileqar.
Ky ishte neni 48, i propozuar në draft si dispozitë kalimtare. Në pikën 2 të këtij neni thuhet shprehimisht: “Brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore/publike në nivel qendror të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje konsulence ndërkombëtare brenda fushës së kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik, në drejtim të aplikimit të inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, infrastrukturës kritike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
Neni qe i dha te drejte qeverise te prokuroje konsulence nderkombetare me negocim te drejteperdrejte
“Kjo kontratë sipas ligjit duhet të negociohej nga autoritete qendrore, por vendimi i qeverisë ka dalë në kundershtim me ligjin duke autorizuar Autoritetin Portual, një institucion jo qëndror, të firmosë marrëveshjen me Royal Haskoning. Arysyeja se pse e bënë kështu është sepse në ministrinë e Infrastrukturës nuk pranonte njeri të firmosë,” i tha një burim i mirëinformuar Kapitalit.
Me qitje të largët
Dhënia e kontratave të majme të konsulencës me pazare të mbyllura në tavolinë është një praktikë që ngre dyshime shumë të mëdha. Por përdorimi i kontratave të konsulencës, potencialisht për lobime transnacionale është vetëm njëra anë e shqetësimit.
Paralelisht, ekspertët brenda institucioneve të përfshira kanë shqetësimin se këto kontrata pa garë mund të prodhojnë një tjetër pasojë edhe më të rëndë. Atë të paracaktimit të kompanive që do të marrin tenderin 420 milionë euro për ndërtimin e Portit.
Sidoqoftë, firma në tenderin e radhës do të jetë e Pirro Vengut dhe duket se qeverisë nuk i mbarojnë asnjëherë vullnetarët kamikazë, të cilët firmosin pazare me direktivë nga lart dhe më pas shpallen nga pushteti si derra që hanë dardha pas kurrizit të udhëheqësve.