29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

FMN mbyll misionin në Tiranë, takime me Meten dhe Sejkon

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përmbylli misionin e tij në Tiranë duke zhvilluar takime me ministrin e Financave, Ervin Mete dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ministri Mete dhe shefja e Misionit të FMN-së biseduan në lidhje me ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë, duke vlerësuar se përgjithësisht situata makrofiskale në vend paraqitet e qëndrueshme dhe pritshmëritë për rritjen e mëtejshme ekonomike janë pozitive.

Te dyja palët diskutuan gjithashtu edhe mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal. Ministri u shpreh se drafti është në proces finalizimi dhe së afërmi do të publikohet për konsultim publik.

Në veçanti Ministri Mete përmendi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, ku rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1 % në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.

Ministri theksoi faktin se borxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.

Ndërkohë në takimin me guvernatorin Gent Sejko,fokusi ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se trendet e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit kanë qenë dhe mbeten pozitive, edhe përballë një ambienti botëror sfidues. Po ashtu, Guvernatori theksoi se përditësimi i parashikimeve sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.

Guvernatori diskutoi lidhur me qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ai u shpreh se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke u kujdesur – në të njëjtën kohë – të ruajë dhe kursimet e familjeve shqiptare.

Në vijim, ai shtoi se normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022 – 2023 bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.

Nga ana e saj, shefja e Misionit të FMN-së konfirmoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *