Komiteti i Investimeve Stategjike ka refuzuar dhënien e statusit të investitorit strategjik për të gjitha aplikimet që janë bërë në bregdetin e Jugut gjatë këtij viti. Në mbledhjen e datës 7 maj të këtij viti, Komiteti i Vendimeve Strategjike shqyrtoi 3 kërkesa për dhënien e statusit të investitorit strategjik në Jug duke i refuzuar të treja me argumentin se ka paqartësi mbi pronësinë e tokës.
Por cilat ishin këto kërkesa?
Aplikimi i parë ishte ai për dhënien e statusit investitor strategjik një projekti të paraqitur nga kompania Xheluks shpk. Kompania e cila zotërohet nga biznesmeni Julian Morina ka propozuar ndërtimin e një hoteli me 60 dhoma në Himarë, një investim prej rreth 18 milionë eurosh. Sipas dokumentave të depozituara në KIS, kompania pretendon se ky hotel do të ndërtohet në pronë private dhe shtetërore me një sipërfaqe totale prej 3200 metrash katrorë. Por kërkesa është refuzuar.
“Projekti i investimit nuk mund të realizohet deri sa të qartësohet dhe plotësohet informacioni i vënë në dispozicion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë. Në këtë zonë vazhdon procesi i regjistrimit të Akteve të Marrjes të Tokes në Pronësi/Përdorim (AMTP), në referencë të ligjit nr 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si pasojë nuk ka informacion lidhur me rregjistrimin e këtyre AMTP-ve,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike të kryesuar nga kryeministri Edi Rama edhe pse më parë, në vitin 2021, KKT ka miratuar lejen e zhvillimit për këtë projekt.
Leskaj, Muçobega dhe prapë Morina
Projekti i dytë, të cilit iu refuzua dhënia e statusit ishte ai ndërtimit të një resorti në Gjirin e Llamanit. Kërkesa për këtë projekt është bërë nga dy kompani, Capital B e zotëruar nga Redjan Basha dhe Bega-07 e Arben Muçobegës. Zoti Basha është njëkohësisht drejtori ekzekutiv i kompanisë Abkons e Besnik Leskajt dhe disa prej personave që figurojnë në kompaninë aplikuese po ashtu rezultojnë të punësuar në kompaninë ABKONS.
Projekti i investimit i propozuar nga këto dy kompani parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel me 5 Yje si dhe njësi akomoduese vila, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, SPA, zonë eventesh, pishinë dhe akuapark në një sipërfaqe prej afërsisht 101 metër katrorë, që përfshin tokë private dhe tokë shtetërore. Edhe ky projekt është refuzuar me po të njëjtat argumente.
“Zona e projektit nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve,” thuhet në vendimin e refuzimit.
Ndërsa kërkesa e tretë e refuzuar në datën 7 maj ishte ajo e projektit Blue Bay Resort. Ky projekt është paraqitur nga kompania Rinia-04, e cila zotërohet po nga biznesmeni Juljan Morina. Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një strukture akomoduese, ku do të ketë një hotel me 300 dhoma, me ambiente shërbimi si bare dhe restorante, ambiente rekreative si pishina dhe ambiente çlodhje, zona të gjelbëruara, parkim duke u shtrirë në një sipërfaqe totale prej mbi 22 mijë katrorë tokë, e pretenduar në pronësi private.
Për këtë projekt KKT ka dhënë dy arsye refuzimi. E para lidhet me përdorimin e tokës. “Projekti i propozuar bie ndesh me parashikimet e Ligjit Nr. 9244, datë 17.06.2004, “Për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore”, i ndryshuar, pasi lloji i pasurive “pemtore” dhe “ullishte” në të cilat synohet të zhvillohet projekti i investimit nuk lejon ndërmarrjen e veprimtarisë së kërkuar nga subjekti,” thuhet në vendim.
Ndërsa arsyeja e dytë ka të bëjë me pronësinë e tokës.
“Në këtë zonë vazhdon procesi i regjistrimit të Akteve të Marrjes të Tokës në Pronësi/Përdorim (AMTP), në referencë të ligjit nr 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si pasojë nuk ka informacion lidhur me rregjistrimin e këtyre AMTP-ve,” vijon vendimi.
Frikë jo, kujdes po
Deri vitin e kalua, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me dhjetra projekte strategjike në bregdetin e Jugut, një pjesë të të cilëve kanë përfituar me qindra mijë metra katrorë tokë shtetërore. Shumë nga këto projekte kanë qenë të shtrira në pemishte dhe në sipërfaqe toke me pronësi të kontestuar apo të paregjistruara. Por asnjëherë kjo nuk ka përbërë shkak që Komiteti i Investimeve Strategjike të refuzonte statusin e investitorëve strategjik.
Por vitin e kaluar, Fredi Beleri kallëzoi në SPAK dosjen e investimit strategjik të përfituar nga bashkëshorti i ish Ministres së Jashtëme, biznesmeni Artan Gaçi, me pretendimin se toka ishte fituar përmes falsifikimit të dokumentave zyrtare. Pas hetimeve SPAK sekuestroi tokën dhe arrestoi ish kryetarin socialist të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro.
Pas këtyre zhvillimeve, por edhe akuzave nga Athina zyrtare se qeveria shqiptare po fal tokën e minoritarëve tek oligarkët, Komiteti i Investimeve Strategjike duket se është bërë më i kujdesshëm duke refuzuar të gjitha aplikimet për statusin e investitorit strategjik në bregdetin e Jugut.