Përveç pensionit shtetëror, shqiptarët po drejtohen gjithnjë e më tepër në skemat e pensionit privat. Rritja e kostove të jetesës dhe vlera e ulët e masës së pensionit aktual, konsiderohet i pamjaftueshëm për mbulimin e nevojave të pensionistëve, ndërkohë që investimi i parave të kursyera përgjatë viteve në fondin e pensionit privat, mundëson një pagesë pensioni shtesë së bashku me interesat e fituar përgjatë viteve të kontributit në fond.
Mimoza Kaçi, Drejtorja Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, prezantoi raportin vjetor në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, duke u ndalur ndër të tjera në ecurinë pozitive të tregut të fondeve të pensioneve private.
“Tregu i fondeve të pensionit privat ka vijuar tendencën e tij në rritje, sa i përket vlerës së aktiveve neto dhe numrit të anëtarëve. Në fund të vitit 2023, aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë, duke u rritur me 18.2%, ndërsa numri i anëtarëve arriti në mbi 38 mijë. Mbi 96% e aktiveve neto janë të investuara në obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2023, në tregun e fondeve të pensionit privat ushtruan aktivitetin e tyre gjashtë fonde pensioni të administruara nga katër shoqëri administruese, të cilat përveç administrimit të fondeve të pensionit janë licencuar për të administruar edhe sipërmarrje të investimeve kolektive. Përsëri, hapësirat për zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu mbeten të konsiderueshme dhe ligji i ri, i miratuar në vitin 2023, pritet të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve private të pensionit.”
Ligji i miratuar vitin e shkuar për fondet e pensionit privat, kontribuoi në përmirësimin dhe modernizimin e bazës ligjore të këtij tregu. Ky ligj, përmes formave të reja të pensioneve private, rritjes së kërkesave për transparencë dhe qeverisje, uljes së komisioneve të administrimit dhe ofrimit të një sërë incentivave fiskale, pritet të kontribuojë në zgjerimin e tregut të fondeve të pensionit privat.
Scan TV