30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Gener 2 aplikon për ndërtimin e një centrali diellor 50 mega në zonën e Finiqit

Kompania shqiptare Gener 2 ka shprehur interes për ndërtimin e një centrali diellor me fuqi 50 mega në zonën e Finiqit. Vepra nuk është koncesion dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse të qeverisë, pasi parashikohet të prodhojë për treg të lirë. Njoftimi është bërë nga Ministria e Energjisë.

“Shoqëria “GENER 2” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 49.96 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bistricë, Bashkia Finiq, Qarku Vlorë,” thuhet në shpalljen e MIE.

Ky është projekti i radhës nga kompanitë shqiptare për ndërtimin e impianteve voltaike, një industri e cila vitet e fundit po zgjerohet me shpejtësi duke tërhequr investime të mëdha. Enti Rregullator i Energjisë bëri të ditur se në total kompanitë shqiptare apo të huaja, kanë shfaqur interes për ndërtimin e dhjetra impianteve, me një fuqi totale të konsiderueshme. 

Ndërkaq, nisur nga fakti se një numër i madh i burimeve të energjisë elektrike, parashikohen që të ndërtohen dhe të lidhen në sistemin e transmetimit, Enti Rregullator i Energjisë thekson nevojën për një zhvillim më dinamik dhe investime për të integruar këto burime në sistemin elektroenergjitik shqiptar në vitet në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *