Një komision special hetimor ka ekspozuar se zyrtarët e Geogenix frikësuan këshilltarët bashkiakë të Harares për të miratuar koncesionin e inceneratorit. Lajmi është bërë publik nga disa portale në Zimbabve, të cilat kanë cituar dhe pjesë nga raporti.
“Zyrtarët e Geogenix morën pjesë në takimin e parë të Këshillit të pajisur me armë në vende të dukshme. Këshilltarët reaguan duke u larguar nga takimi. Geogenix krijoi në mënyrë të qëllimshme një atmosferë frike,” thuhet në raport.
Sipas komitetit special, disa nga këshilltarët që kundërshtonin koncesionin u kërcënuan edhe në mënyrë direkte.
“Një nga personat e intervistuar u shpreh se ka patur edhe kërcënime të drejtëpërdrejta ndaj komisionerëve, të cilëve u është thënë se nuk do të jetoni më në shtëpitë tuaja nëse pengoni marrëveshjen me Geogenix,” vijon raporti.
Sipas komisionit special, përballë këtyre kërcënimeve direktë këshilltarët bashkiakë e kanë patur të pamundur të negociojnë kushte më të mira kontrate për qytetit. Koncesioni i inceneratorit të Harares u miratua në mars të vitit të kaluar. Por tre muaj më vonë Këshilli Bashkiak e anulloi marrëveshjen duke hyrë në një konflikt të hapur me presidentin dhe qeverinë, të cilët ishin promotorët e saj.
Kompania që ka me koncesion inceneratorin e Harares është hollandezja Geogenix, e njëjta që ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës.