Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit Administrativ, që bllokoi procesin e fiskalizimit të karburanteve për llogari të kompanisë Noa Control. Në dhjetor të vitit 2020, qeveria nxorri një vendim “Për përcaktimin e metodologjisë dhe të procedurave të monitorimit të qarkullimit në fushën e hidrokarbureve.”
Vendimi i qeverisë përcaktonte procedurat se si do të bëhej fiskalizimi i pikave të karburanteve dhe mënyrën se si do të përzgjidheshin, kompanitë që do të ofronin këtë shërbim. Sipas nenit 7 të tij, shërbimi i fiskalizimit për kompanitë e karburanteve do të ofrohej nga 3 kompani private që do të përzgjidheshin nga një komision I përbashkët mes akshit dhe tatimeve. Por vendimi përcaktonte gjithashtu se në kompanitë e përzgjedhura nuk mund të ishte asnjë operator i kontraktuar nga administrata shtetërore për një hallkë tjetër të procesit të kontrollit të hidrokarbureve
Kjo pikë e fundit ndalonte shoqërinë Noa Control që të ishte një prej 3 kompanive të licencuara, pasi kjo kompani ka aktualisht koncesionin e kontrollit të pompave të karburanteve. Por Noa pretendonte se shërbimi i fiskalizimit të kompanive të karburanteve I takonte asaj si monopol pasi e kishte në kontratën e koncesionit për kontrollin e pompave. Për këtë arsye sapo vendimi i qeverisë u publikua në fletoren zyrtare Noa Control e sulmoi në gjykatë.
Fillimisht gjykata mori masën e sigurimit të padisë. Më pas cështja vazhdoi në themel dhe kompania Noa e fitoi gjyqin me vendim të formës së prerë në Apelin Administrative, i cili vendosi të rrëzonte pikat e kontestuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Por qeveria e ankimoi cështjen në gjykatën e lartë. Dhe gjykata e lartë këtë të mërkurrë vendosi që të prishë vendimin e apelit dhe të pushojë gjykimin e çështjes duke e rikthyer në fuqi vendimin e qeverisë.
Tashmë mbetet për tu parë nëse qeveria do të zbatojë vendimin e saj për të licencuar tre operatorë privatë që do të ofrojnë shërbimin e fiskalizimit për karburantet. Që nga dalja e vendimit kanë kaluar mbi 2 vjet e gjysmë dhe nuk është çudi që shumë gjëra të kenë ndryshuar. Ndërkohë që në korridoret e qeverisë kanë nisut kulisat edhe për dy koncesione të tjera fitimprurëse, markimin e karburanteve, i cili përfundon muajin tjetër dhe atë të pullave fiskale, të cilin qeveria e zgjati me 1 vit e gjysmë. Dhe brenda kulisave të këtyre dy kontratave mund të ketë rrokadë, mes kompanive që kanë kontrata koncesioni në fushën e karburanteve.