Klodian Tomorri
Gjysmë miliardë euro ka kushtuar reforma në drejtësi për qytetarët shqiptarë. Sot produkti më i rëndësishëm i saj është mbyllja e Sali Berishës në ballkon. Ah po. Janë edhe 200 fraksionet e dosjes së inceneratorit, ku në secilin prej tyre shtohet nga një akuzë e re për Lefter Kokën.
Tani ka ardhur koha që të bëhet studimi i fizibilitetit. A është pozitiv kthimi nga investimi i reformës në drejtësi?
Problemi është se në këtë rast llogaritja e ROI-t është pak e vështirë. Sepse nuk është thjesht llogari financiare numrash, por është mbi të gjitha llogari këndvështrimi. Për shembull, kur maxhoranca injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ROI është pozitiv. Por vetëm për maxhorancën dhe ish ministrat e saj, të cilët shpëtojnë nga llogaridhënia para ligjit.
Kur dosjet e bujshme të korrupsionit tirren si furkat e leshit qëmoti, me fije të panumërta fraksionesh vetëm e vetëm për të mos bërë gjë, ROI është sërish pozitiv. Gjithmonë vetëm për maxhorancën dhe zyrtarët e saj, të cilët shalojnë reformën dhe ligjin.
Kur mbyllet kryetari i opozitës në arrest shtëpie, ROI shkon 1 mijë për qind, e ndoshta edhe më shumë. Por vetëm për maxhorancën, e cila shkon në zgjedhje me kundërshtarin e saj të izoluar. Kjo është pak a shumë njësoj sikur Edi Rama dhe Partia Socialiste të kishin blerë 1 milionë monedha bitcoini kur cmimi i kriptomonedhës ishte 400 dollarë. Por këtu ka një problem.
Nëse reforma në drejtësi shndërrohet në një çekiç, i cili jep goditje shkatërruese në një krah dhe bën gërvishtje të kontrolluara në krahun tjetër, shqiptarët nuk është se kanë dhe shumë arsye që të jenë të lumtur.
Gjysmë miliardë euro, për të mbyllur kryetarin e opozitës është një çmim pak i shtrenjtë. Për të tjerat, maxhoranca e ka thënë dhe stërthënë. Ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Por e sigurtë është që nuk ka për të thënë kurrë që ne nuk i respektojmë vendimet drejtësisë. Këtë thjesht e bën “fait açompli”.
Dhe nëse kjo ndodh haptazi në sytë e të gjithëve, njerëzit kanë arsye të besojnë se poshtë rrogozit ndodh shumë më shumë se kaq.
Ndaj kthimi nga investimi i reformës deri më tani është ky. Gjysmë miliardë euro për të mbyllur Saliun në ballkon dhe për furkën e leshit, që tirret në Sharrë. Por durim se mbase bëhet më mirë.