Këtë të mërkurë një euro u tregtua me 106.95 lekë sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë. Kjo është hera e parë në histori që një euro në Shqipëri kuotohet në nivelin poshtë 107 lekë.
Gremina e euros ndaj lekut po duket pa fund. Në vetëm tre javët e fundit, euro është zhvlerësuar me 5.7 për qind ndaj lekut. Rënia është përshpejtuar veëanërisht gjatë ditëve të fundit, ku euro zhvlerësohet mesatarisht me 0.5 lekë në ditë.
Kjo ecuri e kursit nuk është e zakonshme. Edhe vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë e pranojnë se teknikisht ky është një zhvlerësim i shpejtë dhe jo normal. Por deri më tani Banka nuk ka lajmëruar ndërhyrje në treg.
Ndërkohë që qeveria, e cila kishte mundësi të merrte një pjesë të borxhit të brendshëm në euro, për të stabilizuar kursin, vendosi të dalë në eurobond për të marrë 600 milionë euro nga tregu i jashtë.
Me pak fjala gremina e euros vazhdon drejt kufirit psikologjik 1 euro baraz 100 lekë. Dhe duket e pandalshme, kur Shqipëria nuk ka hyrë ende në sezonin e lartë turistik.