Ministria e Infrastrukturës hapi garën për ndërtimin e hekurudhës, e cila lidh Shqipërinë me Malin e Zi.
“Është një linjë hekurudhore me gjatësi 120 km, që nis në Vorë dhe përfundon në Han të Hotit dhe parashikohet që të ndërtohen apo rindërtohen 12 stacione. Kjo hekurudhë, do të ketë 12 ura dhe ka dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës me gjatësi 320 m. Nga ana tjetër shpejtësia e kësaj lindje hekurudhore parashikohet 120 km/h”, tha ministrja Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në bazë të studimit të fizibilitetit rruga nga Vora në Han të Hotit do të përshkohet për 2 orë mesatarisht. Nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor prej 2,3 milionë pasagjerësh dhe 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit. Më fazën e ndërtimit të kësaj hekurudhe parashikohet të punësohen 1 mijë persona.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, ku theksoi se “kjo lidhje hekurudhore e Shqipërisë me vendet fqinje dhe të Evropës është një hap jetik për integrimin rajonal”.
Duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për qytetarët shqiptarë, Gonzato u shpreh se “ky projektet do të sjellë përfitim jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ata të rajonit, lidhja e popujve është në fakt edhe në thelb të të gjithë vizionit të BE-së dhe do të bëjmë rilidhjen e qytetarëve shqiptarë me ata të rajonit dhe Evropës me mundësi të reja me anë të hekurudhës”.
Kosto për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore llogaritet 370 milionë euro, ku 50 % e këtij financimi vjen në formën e grantit. Sipas Ballukut ky financim është siguruar nga WBF, BERZH dhe BE.