27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Harrojini deputetët/ Tek AKSHI rrogat shkojnë mbi 3 mijë euro

Dyfishimi i rrogave të deputetëve javën e kaluar ishte vetëm hapi i parë, i aksionit të qeverisë për rritje disa fish pagash në kategori të caktuara të sektorit publik. Pas 140 deputetëve të Parlamentit, radha u ka ardhur 183 punonjësve të AKSHI-t.

Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave do të miratojë një vendim, i cili rrit ndjeshëm pagat për të gjithë punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Praktikisht me këtë vendim, rroga mesatare tek AKSHI, shkon rreth 3 mijë euro në muaj. Pra më shumë se paga e deputetëve. Ndërsa paga e drejtoreshës së përgjithshme të AKSHI-t, rritet në rreth 520 mijë lekë ose 4700 euro.

Rrofshin hackerat

Presionet për rritjen e rrogave tek AKSHI nisën vitin e kaluar. Në kulmin e sulmit kibernetik të iranianëve, që paralizoi të gjithë infrastrukturën dixhitale të shtetit, drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t i çoi një kërkesë zyrtare qeverisë për rritje me disa fish të rrogave në këtë institucion.

Sipas propozimit, për drejtoreshën e institucionit kërkohej që rroga të rritej në mbi 510 mijë lekë në muaj. Për drejtuesit e niveleve të dyta, zëvendësdrejtorin dhe këshilltarët, paga kërkohej mbi 480 mijë lekë në muaj, ndërsa për përgjegjësit e departamenteve propozohej që paga të shkonte mbi 410 mijë lekë në muaj.

Rritje e ndjeshme u propozua edhe për specialistët, për të cilët paga kërkohej të rritej nga nga 150 mijë lekë në muaj që është aktualisht, në rreth 340 mijë lekë në muaj.

Qeveria ka pranuar pjesën dërrmuese të propozimeve, edhe pse burime thanë për Oligarkia.al se rritja e miratuar është pak më e ulët se sa ajo që ka propozuar vetë AKSHI.

Por sërish edhe me rritjen e miratuar, që zyrtarizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, pagat për punonjësit e AKSHI-t shënojnë një rritje të ndjeshme, ashtu sikurse dhe fondi që shpenzon ky institucion për personelin.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka në total 183 punonjës në organikën e saj. Vitin e kaluar, fondi total i pagave të AKSHI-t ishte rreth 345 milionë lekë, ndërsa me rritjen e re që pritet të miratohet të mërkurrën ai kërcen afër nivelit 800 milionë lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *