16 Prill, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Hekurudha Rrogozhinë-Vlorë/ Qeveria përzgjedh kompaninë që do të projektojë veprën

Me një ofertë prej 78.81 mln lekë, Hekurudha Shqiptare ka shpallur kompaninë fituese që do të kryejë studimin dhe hartimin e projekt idesë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë – Vlorë, si dhe projektimin e vijës së re hekurudhore që do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës.

Tenderi me fond limit 95 mln lekë u hap në muajin dhjetor të vitit të kaluar, teksa fituese është shpallur kompania austriake ILF Consulting Engineers Austria.

Sipas dokumenteve që shoqëronin procedurën tenderuese, linja ekzistuese Rrogozhinë – Vlorë me gjatësi 84.27 km, funksionon nën kapacitetin optimal për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe nevojës për përmirësime të thella.

Në të njëjtët dokumente thuhej se është e domosdoshme ndërtimi i një linje të re treni për të lidhur qytetin e Vlorës me aeroportin e Vlorës, duke qenë se ky aeroport krijon mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.

Ndërkaq, kompania që ka fituar tenderin do të duhet të hartojë një projekt zbatimi për një linjë hekurudhore elektrike me shpejtësi deri në 120 km/orë.

Sipas Hekurudhës Shqiptare zbatimi i këtij projekti synon të ofrojë një shërbim të kombinuar të transportit hekurudhor me transportin ajror, duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroport në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Gjithashtu, një nga objektivat kryesore është rritja e sigurisë së lëvizjes për udhëtarët, duke reduktuar rrezikun e aksidenteve.

Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *