27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit nis në janar

Punimet për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të nisin në janar të vitit të ardhshëm. Zëvendësministrja e Infrastrukturës Enkelejda Muçaj deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se kjo hekurudhë do të shërbejë edhe për qëllime ushtarake.

“Brenda dhjetorit 2024 përfundojnë procedurat e tenderimit, në janar do të nënshkruhet kontrata dhe nis zbatimi i projektit”, tha Muçaj.

Ndër të tjera Muçaj theksoi se projekti është një konkretizim i planit gjithëpërfshirës ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor të ndërmarrë nga Komisioni Evropian, i cili synon rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, deri në kufi me Malin e Zi, duke lidhur kryeqytetet e Tiranës e Podgoricës, me shtrirje deri në Portin e Durrësit.

Në total kjo hekurudhë do të kushtojë afro 373 milionë euro ndërkohë që 98.7 milionë euro janë kredi nga BERZH, janë 130 milionë euro grant nga BE dhe pjesa tjetër financim nga shteti. Në komision Muçaj tha se është siguruar edhe 50% e financimit për linjën Durrës-Rrogozhinë.

“Durrës-Rrogozhina është gjithashtu i siguruar një grant prej 60.5 milionë euro prapë nga BE ndërkohë që vlera e investimit është 120 milionë euro”, tha Muçaj. Ndërkohë projekti paraprak me koston e linjës Rrogozhinë-Pogradec, do të publikohet në muajin gusht, ku edhe kjo linjë pritet të financohet nga BEI dhe BERZH.

“Është duke përfunduar projekti inxhinierik, përsa i përket segmentit Rrogozhinë-Pogradec dhe po diskutojmë me Maqedoninë e Veriut për të pasur pikën e lidhjes me ta, në mënyrë që të lidhemi në një pikë që nuk cenon zonën e mbrojtur të liqenit të Ohrit që ka qenë gjurma fillestare, që duhet të ndryshojë, është 3 km në palën shqiptare dhe pjesa tjetër është në Maqedoni të Veriut. Rrogozhinë-Pogradec brenda gushtit do të kemi projektin paraprak që do të na japë një kosto paraprake, por kemi besimin e një institucioni financiar që është Banka Evropiane e Investimeve dhe me mundësinë që edhe BERZH të bashke financojnë këtë segment”, tha Muçaj.

Pra vetëm dy linjat e para të cilat e kanë një studim, ajo e Vorë-Hani i Hotit dhe ajo e Durrës-Rrogozhinë, kushtojnë afro 493 milionë euro, ku një pjesë e madhe financohet nga institucionet ndërkombëtare për shkak të rëndësisë që kanë në lidhjen rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin me tregjet e BE-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *