Hetimet ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Evis Berberi, e kanë çuar Prokurorinë e Posaçme drejt Tunelit të Llogorasë. SPAK po kalon në sitë një kontratë të fituar nga kompania e ish-ortakut të tij në biznes, Valter Begaj, për mbikëqyrjen e punimeve të një prej veprave më të rëndësishme në bregun e jugut. Si Berberi ashtu dhe Begaj u arrestuan marsin e vitit të kaluar, dhe janë nën hetim të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Ajo çka i lidh të dy me Tunelin e Llogorasë, është shoqëria “Net Group” e zotëruar nga Begaj, e ku vetë Berberi kishte qenë më parë i punësuar. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo kompani është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.
Tenderi për mbikqyrjen e Tunelit të Llogarasë me fond limit 1.96 milionë euro u zhvillua nga ARRSH në dhjetor të vitit 2021. Fituese e garës u shpall bashkimi i kompanive mes gjigandit amerikan Hill International dhe Net Group me oferë 1.94 milionë euro.
SPAK dyshon se kompanisë së njohur amerikane mund t’i jetë imponuar nga ish kreu i ARRSH që të përfshijë në joint venture kompaninë Net Group.
Për këtë arsye, një javë më parë hetuesit e BKH kanë zbarkuar ne zyrat e kompanisë amerikane në Tiranë duke i kërkuar asaj dokumentacionin për tenderin e mbikqyrjes së Tunelit të Llogarasë.
Kapitali ka mësuar se kompania amerikane ka kërkuar një javë kohë për të vënë në dispozicion dokumentacionin, i cili ka qenë i arkivuar në selinë rajonale të saj, që gjendet në Greqi.
Me vënien në dispozicion të dokumentacionit, prokurorët e SPAK do të verifikojnë nëse përfshirja e Net Group në joint venture me kompaninë amerikane ka qenë apo jo ndikim i drejtëpërdrejtë i Evis Berberit.
Në hetimet ndaj Berberit, prokurorët dyshojnë se ai i ka dhënë tenderë të paligjshëm ish-ortakut të tij, Begaj, i cili ia kalonte më pas paratë, përmes kompanisë “Daam”. Një javë më parë, hetimet ndaj tyre u zgjatën me 3 muaj, me kërkesë të SPAK.
Verifikimet për mbikqyrjen e Tunelit të Llogarasë janë tërësisht në funksion hetimeve që SPAK vazhdon të kryejë ndaj ish kreut të ARRSH, Evis Berberi. Ato nuk kanë lidhje me ndërtimin e tunelit, një tender për të cilin opozita ka kallëzuar në SPAK, ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku.