28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hyn në fuqi marrëveshja/ Shqiptarët mund të punojnë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut pa leje pune

Qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë që nga fillimi i këtij muaji mund të punësohen në cilindo nga tre vendet pa pasur nevojë për leje pune si pjesë e nismës rajonale të Ballkanit të hapur, tha qeveria serbe.

Në janar, të tre vendet nënshkruan dy protokolle mbi integrimin e tregjeve të tyre të punës dhe sistemeve elektronike të identifikimit të qytetarëve të tyre.

Zbatimi i protokolleve filloi më 1 mars dhe qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tani lejohen të hyjnë në territorin e secilit prej këtyre vendeve me një dokument identifikimi personal të vlefshëm dhe me opsionin për t’u punësuar pa patur nevojë që të jenë të pajisur me leje punë, tha ministri serb i financave Sinisha Mali në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të qeverisë të premten.

Mali tha gjithashtu se shërbimet elektronike për regjistrimin e punëtorëve do të lançohen në javën e ardhshme pasi të lidhen portalet e Qeverisjes elektronike të tre vendeve.

Nisma rajonale e Ballkanit të Hapur mori formë në vitin 2019 kur Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord të krijojnë një zonë ekonomike për 12 milionë njerëz, duke hapur kufijtë e tyre si për njerëzit ashtu edhe për produktet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *