Nga sot mbi 83 mijë punonjës të administratës do të përfitojnë shtesë në pagë, të cilën do të mund ta tërheqin në fillim të muajit të ardhshëm. Vendimi i miratuar nga qeveria javën e kaluar ka hyrë në fuqi, ku kategori të ndryshme punonjësish në administratën publike do të përfitojnë një rritje të ndjeshme të pagesës mujore, duke bërë që paga mesatare në shtet të arrijë në nivelin e 105 mijë lekë në muaj.
Nga kjo politike përfitojnë: Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; Punonjësit e sistemit shëndetësor; Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit; Policia e Shtetit; Policia e Burgjeve; Garda e Republikës; Forcat e Armatosura; Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Konkretisht, për ushtarakët rritja varion nga 7-22%, ku më të favorizuar do të jenë ata me grada më të ulëta. Për mësuesit rritja mesatare shkon në 18 mijë lekë, për mjekët 20 mijë lekë në muaj, ndërsa për infermierët 15 mijë lekë në muaj. Rritje deri në 27 % do të përfitojnë edhe punonjësit e burgjeve, ndërsa për zjarrfikësit shtesa shkon deri në masën 30%.
Janë 14.720 specialistë të administratës që përfitojnë rritje; 36.570 punonjës mësimorë 15 858 mjekë të përgjithshëm dhe infermierë dhe rreth 22 500 punonjës të sistemit me Grada.
Kosto e përllogaritur për ketë 6 mujor të dytë të vitit është 11 miliardë lekë dhe kosto totale buxhetore llogaritet në 40 miliardë lekë. Kjo është faza e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur nga qeveria në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës te administratës në total.
Scan Tv