11 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë, nga sot çdo shërbim që merrej pranë QKB tani merret vetëm tek ‘e-Albania’

Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë. Nga sot Qendra Kombëtare e Biznesit nuk do të ofrojë më shërbime në sportel, por vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania.

Në vendimin “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të biznesit”, të ndryshuar, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet mospranimi i aplikimeve në sportele për lëshim të ekstrakteve të subjekteve, por dhëniea e tyre për të interesuarit vetëm nëpërmjet formatit elektronik, pas aplikimit online.

Po ashtu edhe aplikimet për korrigjimin e gabimeve do të bëhen online. Gjithashtu për çdo vendim të QKB-së aplikantët do të njoftohen online, përmes portalit e-Albania.

Në vendimin “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të biznesit”, të ndryshuar, përkatësisht në kreun VII, janë bërë ndryshimet si më poshtë:

Në pikën 54 të vendimit, pas togfjalëshit “ në faqen zyrtare të internetit të QKB-së” shtohet togfjalëshi “ si dhe në portalin e-Albania” , i cili i referohet ndjekjes dhe gjurmimit të aplikimit.

Në vendim sqarohet se çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë, kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare, për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së.

Në pikën 56 të vendimit, theksohet fakti se çdo person, ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti. Gjithashtu çdo person mund të marrë në format shkresor kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse.

Vendimi i ndryshuar përcakton edhe shfuqizimi e pikave 57, 58, 59 dhe 60 të vendimit të mëparshëm (është hequr marrja e ekstraktit ne sportel) tek pika 56 theksohet që merret vetëm online.

Ndryshe nga vendimi i mëparshëm që përcaktonte se kërkesa për korrigjimin e gabimit mund të bëhet nga çdo person i interesuar me aplikim sipas formatit të miratuar. Edhe aplikimi për korrigjimin e gabimit paraqitej në sportel nga personi i interesuar, një shërbim që ofrohej pa pagesë.

Sipas vendimit të ndryshuar aplikimi për korrigjimin e gabimit mund të bëhet on-line nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat, nëpërmjet portalit “e-Albania”.

Po ashtu çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.”

shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *