Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli tenderin për transformimin e hyrjes së Shkodrës në një park multifunksional. Sipas dokumentave të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i tenderit është caktuar 500 milionë lekë ose 4.7 milionë euro.
“Një erë e re po vjen për Shkodrën Hidhet hapi i parë për zbatimin e projektit të ballinës ujore të Urës së Bunës, që do të transformojë krejt hyrjen e qytetit të Shkodrës, ku ka nisur tashmë procedura e tenderimit vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare,” deklaroi kryeministri Edi Rama.
Projekti për transformimin e hyrjes së Shkodrës në një pol turistik është hartuar nga studio arkitekturore spanjolle Casanova-Hernandez. Për herë të parë ai u prezantua gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore nga kandidati socialist Benet Beci.
Projekti përfshin krijimin e një parku multifunksional buzë Bunës, me një hapësirë prej 18 hektarësh; portin pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritjen e një muzeu që do të nxjerrë në pah për vizitorë e turistë historinë e Shkodrës në shekuj.
Paralelisht ai është prezantuar si një vepër që do të ketë impakt të lartë në lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut në qytet, pasi parashikon zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi.
Përveçse në lulishten e vjetër projekti shtrihet edhe në zonën mes dy bypasseve (Lot 1 dhe 2) në një sipërfaqe totale prej rreth 18 hektarësh.