Klodian Tomorri
Përballë skandalit të madh korruptiv të inceneratorëve, strategjia e komunikimit publik të maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama ka qenë e qartë dhe në dukje solide:
“Unë nuk di ndonjë aferë inceneratorësh, po di një punë të mirë që ka shpëtuar tre komunitete të mëdha nga makthi i plehrave, në Tiranë, Elbasan dhe Fier! Nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kanë abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike apo balta mediatike! Por kjo nuk e ndryshon faktin se veprat janë ndërtuar, janë aty dhe janë në shërbim të komuniteteve, të shëndetit publik e të mjedisit”.
Ky është qëndrimi publik i mbajtur nga Edi Rama Shkurtin e vitit 2022 teksa pyetej për çështjen e asaj çka është cilësuar tanimë si skandali i inceneratorëve. Ky është qëndrimi që qeveria dhe mazhoranca ka mbajtur zyrtarisht që prej momentit të parë kur kjo çështje u bë objekt i veprimtarisë së SPAK që pasoi me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako. Kjo qasje e Ramës nuk ndryshoi as pas kërkesës për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Por, e gjendur në grykën e një sulmi të dyfishtë nga opozita, në njërën anë për emërimet e familjarëve të saj në organet e drejtësisë dhe në anën tjetër për përmendjen e saj në dosjen e inceneratorëve, Ermonela Felaj sot duket se ka braktisur varkën e drejtuar nga Edi Rama.
Ish-ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, aktualisht nënkryetare e Kuvendit vuri në pikëpyetje në seancën e sotme parlamentare gjithë retorikën e përdorur nga Edi Rama dhe mazhoranca. Ndryshe nga Rama që mbron vendimmarrjen për inceneratorët dhe veprat por distancohet, të paktën publikisht, nga episodet abuzive, Felaj ka hedhur poshtë edhe vet strategjinë e qeverisë për mbetjet.
Duke tentuar të aministohej nga sulmi opozitar, Felaj deklaroi se ka qenë kundër ndërtimit të inceneratorëve dhe se akuzat ndaj saj janë të padrejta. Qëndrim që e bëri edhe kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha që të reflektojë në replikën e tij nga foltorja e Kuvendit.
“Nëse dokumentet tuaja për djegësat janë në të njëjtën linjë, unë publikisht kërkoj falje, sepse unë të kam përgëzuar këtu për dokumentin e djegësit të Tiranës. Këtu jo një, por disa burime u shprehën se zonja ka mbështetur të dy djegësat, të Fierit dhe Elbasanit. Unë do të shoh dosjen. Por nëse bëj një akuzë të kundërt, unë nuk akuzoj njeri. Pa parë dosjen mund të besoj kujtdo në botë, por jo Ermonela Felajt. Nuk mund ti besohet”, nënvizoi Berisha.
Si një “ujk” i vjetër politik, Berisha duket se ka arritur të nuhasë qëndrimin e Felajt kundër Ramës, njësoj si Ahmetaj kur pak muaj më parë do të deklaronte “Nuk kam qenë aq i fuqishëm që të vë në lëvizje gjithë qeverinë, bashkinë”.
Qëndrimi i sotëm publik i Ermonela Felajt konfirmon që praktika për inceneratorët është e paligjshme çka së pari ngre pikëpyetje mbi çdo ministër që ka dhënë dakordësi qoftë edhe në parim për procedurat, por mbi të gjitha duket se shigjetën e drejton shumë lart, në godinën e Kryeministrisë, tek Sekretari i Përgjithshëm Engjell Agaçi dhe vet Kryeministri Edi Rama.
Dezertimi i Ermonela Felajt nga qëndrimi publik i mazhorancës për inceneratorët dhe distancimi i saj duket se është këmbana e dytë e alarmit për Edi Ramën pas të parës që shkaktoi arratisja e ish-zëvendësit të tij Arben Ahmetaj! Varka po mbytet. “Inceneratorët” kanë filluar ta shthurin Organizatën! Ermonela është vetëm dezertimi i radhës.