28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Inceneratori i Tiranës fundos financiarisht edhe Durrësin

Një fjalë e urtë popullore thotë se “kripa është e lirë në Durrës, por e ha qiraja rrugës.” Tani qytetarët e Durrësit po e provojnë vetë këtë. Sigurisht jo me kripën, por me plehrat.

Afera e dyfishtë e Eko Parkut në Porto Romano dhe Inceneratorit të Sharrës ka krijuar një situatë falimentuese në Bashkinë e Durrësit. Tani menaxhimi i mbetjeve po gllabëron gati një të tretin e buxhetit të bashkisë, një normë kjo tre herë më e lartë se sa mesatarja e bashkive të tjera të vendit.

Shifrat janë bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas KLSH, vitin e kaluar buxheti faktik i Bashkisë së Durrësit ishte 39.4 milionë euro gjithsej. Por 9.6 milionë euro nga këto shkuan për të financuar vetëm menaxhimin e mbetjeve. Në vitin 2022, shifrat ishin edhe më dramatike, pasi menaxhimi i mbetjeve mori 29.4 për qind të buxhetit total. Kjo është një nga normat më të larta në të gjitha qytetet e Europës dhe arsyeja është inceneratori i Tiranës.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare mori vendim që të mbyllte landfillin e Porto Romanos, në të cilin depozitoheshin mbetjet e Durrësit, duke e detyruar qytetin bregedetar të Shqipërisë së Mesme, që t’i depozitonte mbetjet në landfillin e Sharrës. Sapo bashkia e Durrësit nisi të depozitonte mbetjet në Sharrë, kostot e këtij shërbimi u trefishuan menjëherë.

“Kështu nga 370 milionë lekë që ka shpenzuar në vitin 2020 për menaxhimin e mbetjeve, në vitin 2022 Bashkia e Durrësit shpenzoi 964 milionë lekë,” konstaton KLSH.

Rritja dramatike e kostove ka ardhur për shkak të dy zërave. Së pari, tarifës 29 euro për tonë që bashkia e Durrësit paguan tek koncesionari i inceneratorit për depozitimin e mbetjeve në Sharrë dhe së dyti për shkak të transportit të tyre nga Durrësi në Tiranë.

“Në vitin 2020 Bashkia Durrës ka shpenzuar vetëm 17 milionë lekë për transportin e mbetjeve urbane, pasi ato dërgoheshin në Porto Romano. Por në vitin 2022 ajo shpenzoi 151,2 milionë lekë për t’i transportuar mbetjet në Sharrë. Pra 9 herë më shumë,” vijojnë audituesit e KLSH-së.

Të dhënat tregojnë se nga 9.6 milionë euro në vit që Bashkia e Durrësit paguan për menaxhimin e mbetjeve, 4.5 milionë euro janë rezultat direkt i vendimit të qeverisë për ta detyruar atë që të depozitojë mbetjet në Sharrë. Pra, jo për shkak të rritjes së sasisë së mbetjeve që gjeneron Durrësi, as për shak të përmirësimit të këtij shërbimi, por thjesht dhe vetëm për shkak të inceneratorit.

Vendimi për ta detyruar Durrësin, që të depozitonte plehrat në Sharrë është shoqëruar me dyshime të mëdha për korrupsion që në momentet e para. Tani koha po u jep të drejtë. Në fiale, ky ishte një vendim që rriti biznesin e bandës së inceneratorëve, i hapi rruën aferës së Porto Romanos dhe u vodhi qytetarëve të Durrësit 4.5 milionë euro ccdo vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *